TIRANË, 25 prill 2013- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi të enjten me katër votat e anëtarëve të pranishëm aktin për "lirimin nga detyra të anëtarëve të KZAZ-ve, të propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), për zgjedhjet e 23 qershorit.
Pas situatës së re të krijuar në përbërjen e grupeve të partive të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, KQZ vendosi së fundi që të pranojë kërkesën e PR-së për caktimin e saj si forca që ka të drejtë të paraqesë propozime për anëtar të KZAZ-ve dhe KQV-ve, si dhe të marrë pjesë në shortin për anëtar të GNV-ve, thuhet në aktin e përgatitur nga administrata.
Po ashtu, KQZ miratoi dje dhe kërkesën e LSI-së për caktimin e anëtarit të saj në përbërje të KZAZ-ve. Me miratimin e kërkesave të dy forcave të mësipërme, KQZ vendosi të ndryshojë dhe vendimin e saj të janarit 2013 "Për caktimin e partive politike që kanë të drejtë të paraqesin propozime për anëtarë të KZAZ-ve, për zgjedhjet e 23 qershorit".
Juristët e KQZ-së argumentuan dhe bazën ligjore mbi të cilën mbështetet ky akt. Sipas tyre ndonëse nuk ka një dispozitë të posaçme në kodin zgjedhor për shkarkimin e anëtarëve të PBDNJ-së nga KZAZ, pasi ligji nuk e parashikon një rrethanë të tillë, KQZ-së i lind e drejta të bazohet në nenin 23; pika 1; gërma 'a' e kodit, si e vetmja dispozitë ku mund të mbështetet shkarkimi i anëtarëve të PBDNJ-së në KZAZ.
Me ndryshimet e mësipërme tashmë konfigurimi i anëtarëve në të 89-të KZAZ-të në shkallë vendi është ky: dy anëtarë të propozuar nga PD; dy anëtarë të propozuar nga PS; një anëtar i propozuar nga PR dhe një anëtar i propozuar nga LSI. Në këto kushte anëtarët e KZAZ-ve të propozuar nga PBDNJ duhet të lirohen nga detyra, pasi sipas vendimit të ndryshuar të KQZ-së, PBDNJ nuk ka më të drejtë të ketë anëtar në KZAZ.
Organizimi i zgjedhjeve, KQZ miraton disa pr/vendime
KQZ miratoi të enjten me katër votat e anëtarëve të pranishëm regjistrimin e 520 vëzhguesve të Shoqërisë Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (SHNDNJ) për vëzhgimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. KQZ konstatoi se dokumentacioni i paraqitur nga kjo organizatë, me seli në Frankfurt, është konform ligjit, duke miratuar akreditimin e tyre për monitorimin e zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, anëtarët e KQZ-së nuk miratuan regjistrimin e vëzhguesve të Qendrës "Polit On", për shkak të mangësive në dokumentacion.
Me konsensus KQZ miratoi dhe emërimin e anëtarëve të KZAZ-ve të propozuar nga Partia Republikane, si dhe pr/vendimin për 'planin për përmbushjen e projektit për sistemin elektronik të verifikimit(SEV) në qarkun e Tiranës'.





