DURRËS, 25 prill 2013– Në vitin 1848 vjen në Shqipëri piktori anglez Eduard Lir (Edward Lear, 1812-1888).
Ai vjen nga Manastiri dhe kalon nëpër krahina të ndryshme.
Shkon në Tiranë e prej andej në Krujë e Shkodër, kthehet në Durrës, vazhdon më tej rrugën për në Kavajë, Berat, Himarë, Vlorë e Tepelenë.
Qyteti i fundit që viziton Eduard Liri është Gjirokastra.
Në vitin 1851 ai botoi ditarin e vet të udhëtimit, që pati një sukses të bujshëm.
Nga 20 gravura që gjenden në këtë libër, nëntë i përkasin Shqipërisë.
Në parathënie ai shënon se përpara tij edhe anglezë të tjerë e kanë vizituar.
Të gjithë këta udhëtarë ishin mahnitur nga bukuria e vendeve përreth dhe virtytet e shqiptarit, për të cilët flasin me respekt dhe admirim.
Edhe në ditarin e Eduard Lirit ndjejmë atë mirëdashje për vetitë e shqiptarit.
Por kjo shprehet veçanërisht në gravurat, që kanë plot lirizëm dhe ndjenjë.
Një nga gravurat është ajo e Durrësit (kalaja me katër kullat në kodër e që zgjatet poshtë me ca kulla më të ulëta; katër burrat, tre në këmbë, një mbi kalë me veshje shqiptare).
Eduard Liri shkruan në ditar:
“Durrësi është qyteti tjetër i udhëtimit tim… Qyteti tani në vetvete është reduktuar në një rrugë të vetme dhe shikohet nga kullat e rënda ngjyrë gri të kështjellës, të cilat janë ndërtuar relativisht në një vend të lartë… Kombinimet e panoramës rreth e përqark janë shumë të bukura si çdo pamje shqiptare. Rruga e vetme e Durrësit, zë thuajse të gjithë vendin e ngushtë që zbret në det dhe mbaron në mol… Në Durrës ka një atmosferë këngësh dhe unë dëgjoj shumë tinguj muzikorë, të cilët dëgjohen në të gjithë anët e Shqipërisë”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





