TIRANË, 25 prill 2013- Deputeti i Partisë Socialiste Piro Lutaj nëpërmjet një deklarate për mediat e vuri theksin tek rrënimi i vendit në këto 8 vite qeverisje.
“Vetëm 59 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët me votë të bashkuar do të ndëshkojnë Sali Berishën, kryeministrin e rrënimit të vendit me të paktën 100 dështime në 8 vitet e keq-qeverisjes së tij”, tha Lutaj.
Sipas tij, “Sali Berisha dështoi me Policinë e Shtetit. Policia e Shtetit është sot një forcë e goditur në dinjitetin e saj. Qytetarët ndihen më të pambrojtur e më të pasigurt se kurrë dhe besimi tek policia është në nivelet më të ulëta të mundshme. Shqiptarët shohin se shteti e ka braktisur detyrën në mbrojtje të qytetarëve përpara krimit, i cili fiton dita ditës gjithnjë e më shumë terren. Por sot, në fund të mandatit të tij, situata në të vërtetë është kjo:Krimi është rritur; Në 8 vite me Saliun në pushtet, krimi është trefishuar; Pasiguria në rrugë është rritur me 220%; Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është përkeqësuar;Sot Policia e Shtetit ka dështuar keq dhe me mbrojtjen e grupeve më në nevojë, siç janë fëmijët dhe gratë nën rrezikun e provuar e të përsëritur të dhunës. Profesionalizmin dhe motivimin e Policisë së Shtetit, Berisha e mbyti me emërimet dhe rekrutimet që plotësonin vetëm një kriter, atë të militantit (ose tre nëse shtojmë nepotizmin e krahinizmin).
Sipas deputetit të PS, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme kanë lidhje me botën e krimit.
“Ndershmëria e personelit u godit rëndë kur Policia e Shtetit u kap nga kupola e Ministrisë së Brendshme me lidhje të shkurtra me botën e krimit. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot janë të lidhur me krimin e organizuar. Kjo kupolë ka tradhtuar Policinë e Shtetit, duke tradhtuar njerëzit e ndershëm e më të përgatitur brenda saj. Këta ose janë larguar, ose janë hedhur në katër rrugë, ose janë detyruar të heshtin, duke shkaktuar një shkatërrim moral të gjithë Policisë së Shtetit. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit sot garantojnë rrugët e kontrabandës dhe administrojnë të gjitha të ardhurat nga korrupsioni. Tradhtia e përditshme që i bëhet Policisë së Shtetit, ka fytyrën e trios Flamur Noka (Ministër i Brendshëm), Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj. Kjo është dora e rrënimit të vazhdueshëm të Policisë së Shtetit. Komisarët këputen rrugëve nga plumbat e krimit dhe asgjë nuk ndryshon. Kjo është arsyeja pse krimi e ka zënë Shqipërinë për fyti qëkur Sali Berisha erdhi në qeveri. Modernizimi teknologjik është inkezistent, madje të flasësh për të sot mund të merret si fyerje kur policia ka mungesën edhe të mjeteve lëvizëse e karburantit për t’i vënë në lëvizje ato pak mjete që ka. Në vitin 2012, ne nuk kemi ende një bazë të dhënash elektronike për të gjitha personat me precedentë penale dhe vendndodhjen e tyre.
“Pas 59 ditësh, Qeveria e Majtë, që në 300 ditët e para do ta rivendosë Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe Shqipëria do të shohë me sytë e saj një Polici të Rilindur. Riorganizimi rrënjësor i Policisë së Shtetit dhe i të gjitha forcave të sigurisë, rritje të trajtimit financiar për policinë shqiptare dhe do e çlirojmë atë nga Kupola e Policisë, nga Burgajt e Kuliçit që i ka tradhtuar Policinë e Shtetit dhe kanë i kanë lënë qytetarët të pambrojtur përpara revanshit të krimit”, shtoi Lutaj.





