DURRËS, 25 prill 2013– 6 automjet të trafikuara nga vendet e europës perëndimore janë bllokuar 2 ditët e fundit në Durrës, nga seksioni kundër trafiqeve të paligjshme në pdq në kuadër të operacionit pranverë 2013.

Sipas burimeve të policisë Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë Qarku Durrës ka filluar zbatimin e Plan- Operacionit  të koduar “Pranverë 2013”, me masa në drejtim të kontrollit mbi konformitetin e automjeteve që qarkullojnë në territor.

Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, shërbimet policore të Durrësit në sajë të kontrolleve të ushtruara kanë evidentuar 6 automjete, ndër të cilat edhe mjete të rënda, të cilat rezultonin të vjedhura në vende të Europës Perëndimore.

Kjo strukturë konkludoi me procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorrike ndaj 3 shtetasve.

Shtetasit L.K., 49 vjeç, banues në Durrës, gjatë verifikimit që shërbimet policore ndërmorën për automjetin tip fuoristrada Audi Q7 me targa TR8558R në pikën e kontrollit Ura e Dajlanit, u rezultoi se mjeti në fjalë ishte vjedhur me date 12.11.2008 në Gjermani dhe si i tillë u bllokua për llogari të hetimit nga ana e shërbimeve policore.

Shtetasit A.B., 44 vjeç, banues në Luz Fushë Krujë, në fshatin Borizanë Krujë iu bë sekuestrimi i 4 mjeteve që rezultuan të vjedhura, konkretisht:

-Automjeti tip kamion Daf  me targa BB804JR.
-Ekskavatori i markes Fiat Hitachi
-Kamioni tip Iveko me targa AT970NE
-Kamioni tip Man me targa PC452661

Këto 4 automjete rezultuan të vjedhura në Itali më datë 20.03.2013.

Shtatasit A.F., 48 vjeç, banues në Thumanë Krujë , ditën e martë, në fshatin Borizane iu bllokua automjeti i markës  Benz 400 me targa TR7343J,  i cili nga verifikimet e bëra nga ana e shërbimeve policore rezultoi se ishte vjedhur në Itali më datë 09.12.2003.

Materialet proceduriale lidhur me rastet në fjalë iu përcollën për ndjekje Prokurorisë Rrethit Durrës dhe Krujë.

Mbi këta shtetas rëndon akuza e kryerjes së veprës penale “Trafikim i mjeteve motorrike”.

Operacioni në fjalë po vijon nga ana e strukturave policore.