TIRANE, 25 prill 2013– Aldo Hoxha, njeriu që akuzohet për vrasjen e Fatbardha Tafës në tentativë për t'i grabitur varësen e floririt që mbante në qafë, u përball dje në sallën e gjyqit me tre punonjësit e policisë që i vunë prangat. Florenc Zeqo, Dëfrim Zyka dhe Altin Mici, mbërritën dje në Gjykatën e Tiranës, për të rrëfyer për momentin e arrestimit të Aldo Hoxhës, si të dyshuar për krimin e rëndë të ndodhur pranë ish-Fushës së Aviacionit.

Efektivët e policisë i thanë trupës gjyqësore të kryesuar nga Albert Meçe, se natën që kanë arrestuar Aldo Hoxhën, kanë shoqëruar dhe tre persona të tjerë. "Ishim në shërbim, në ndihmë të Komisariatit të Policisë Nr.2. Kemi shkuar për një kontroll banese në fshatin Çekrez. Na thanë që do të shoqëronim katër persona, djem të rinj. I shoqëruam. Nuk hasëm në rezistencë prej tyre. Shoqëruan tre të parët, kurse të katërtin e gjetëm pas një divani në një nga dhomat e banesës", – tha Florenc Zeqo.

Thuajse të njëjtat detaje dhanë dhe dy efektivët e tjerë. Ndërkaq, uniformat blu kujtuan para gjykatës dhe momentin kur Aldo Hoxha u ishte prezantuar me një emër tjetër dhe se ishte gjetur gjysmë i zhveshur, konkretisht nga mesi e lart, dhe ishte futur poshtë krevatit në tentativë për t'u fshehur. Të pyetur nga palët nëse kishin ushtruar dhunë ndaj Aldo Hoxhës, policët e mohuan kategorikisht. I menjëhershëm ishte reagimi i të pandehurit. "Mua më kanë tërhequr zvarrë", – tha i akuzuari për krimin e rëndë.

Direkt në sallën e gjyqit, ai hodhi akuza të rënda ndaj punonjësve të policisë, duke u drejtuar gishtin si njerëzit që e kanë keqtrajtuar kur i vunë prangat. Kreu i trupës gjyqësore, Meçe i bëri disa herë me dije Aldo Hoxhës, se të pandehurve mund dhe duhet t'u drejtonte vetëm pyetje. Nëse kishte gjë për të shtuar, mund ta bënte përmes deklarimeve në çdo moment që ai dëshironte. Aldo Hoxha ka pretenduar se është dhunuar nga policia, por prokuroria këmbëngul se shenjat që janë konstatuar në trupin e tij, i janë shkaktuar nga goditja me patina, nga nipërit e viktimës, të cilët shoqëronin tezen e tyre, Fatbardha Tafa, në momentin kur u sulmua nga grabitësit. 

Aldo Hoxha, akuzohet se është autor i vrasjes së Tafës në gusht të 2012-ës, pranë ish-Fushës së Aviacionit, teksa tentoi ta grabiste. Viktima shoqërohej dhe nga e motra Lumturi Gjana, e cila mbeti e lënduar. Prova më e fortë e fajësisë ndaj Aldo Hoxhës, është një kapele e gjetur në vendin e ngjarjes, ku përmes analizës së ADN-së është vërtetuar se fijet e flokut të gjetura në të, përputhen me ato të të pandehurit.

/BalkanWeb/