SHBA, 24 prill 2013 Lajmi se në Kili ishte gjetur skeleti i një alieni të ngjashëm me njerëzit dhe vetëm 15 cm të gjatë bëri xhiron e botës disa ditë më parë. Por ndërsa aludimet ishin nga më të ndryshmet dhe fotot e shpërndara në internet dhe media forconin edhe më shumë bindjet e atyre që deklarojnë se nuk jemi të vetëm në univers dhe se planeti ynë vizitohet nga jashtëtokësorët analizat e trupit “mikro-njerëzor” treguan se qënia ishte humanoid!

Skeleti i gjetur dhjetë vite më parë në një shkretëtirë të Kilit, me trup të imët dhe kokë të madhe është mjaft i ngjashëm me përfytyrimet tona të alienëve.

Por grupi i shkencëtarëve që mori në shqyrtim skeletin arriti në përfundimin se qënia 15 centimetër e gjatë është një njeri. 

Ata thonë se bëhet fjalë për një mutacion dhe mini-njeriu ka jetuar jo më shumë se sa 8 vite. Sipas tyre, analizat e detajuara të kryera në laboratoret amerikane nuk gjetën gjurmë “aliene” dhe hodhën poshtë pretendimet e tjera se bëhej fjalë për një fetus të abortuar apo një të vogël majmuni. 

ADN e krijesës misterioze përputhet me ADN-në njerëzore. Përveç përmasave mikro, në krahasim me përmasat normale të një qënie njerëzore, një tjetër “anomali” në strukturën e “njeriut 15 cm të gjatë” është koka e stërmadhe në krahasim me trupin, përpos numrit të brinjëve, nëntë të tilla. 

Studiuesit thanë se bëhet fjalë për një mutacion interesant të një mashkulli njerëzor që ka jetuar nga gjashtë deri në tetë vjec. 

Sipas mediave kiliane “mikro-njeriu” u gjet më 19 tetor të vitit 2003 në shkretëtirën Atacama, pranë një kishe të braktisur. Krijesa iu dorëzua shkencëtarëve për studime. Këta të fundit vendosën balsamosjen e trupit për ta ruajtur atë nga dekompozimi i mëtejshëm, ndërsa dyshimet e para lidheshin me gjetjen e një krijese aliene. 

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/