RAGUZA, 24 prill 2013 – Sa herë që fryn shiroku banorët e Raguzës në Kroaci shtrojnë pyetjen: “Sa do të duhet që mbeturinat nga Shqipëria të mbërrijnë në brigjet kroate për t’i shndërruar ato në vend grumbullimi mbeturinash në qiell të hapur?”.

Disa ditë pas shirokut, zona të mëdha të bregdetit mbulohen nga mbeturinat që pluskojnë mbi ujë, pjesa më e madhe e të cilave janë shishe plastike, produkte farmaceutike apo këpucë.

Sipas mediave italiane fenomeni përsëritet çdo vit dhe verifikohet veçanërisht në periudhën kohore mes marsit dhe prillit. Male të tëra me mbeturina nga Shqipëria (origjina e tyre verifikohet mjaft mirë nga etiketat në produktet që përfundojnë në brigjet kroate) “notojnë” drejt veri-perëndimit të shtyra nga era dhe rrymat detare.

“Popullimi” i plazhit prej mbeturinave urbane është një “spektakël” aspak i dëshiruar për banorët e Raguzës si dhe turistët e shumtë që vizitojnë këto brigje.

Sipas kompanisë që merret me pastrimin e zonës, largimi prej aty i mbeturinave është një proces i kushtueshëm, për më tepër që Shqipëria nuk ka akorduar asnjëherë ndonjë dëmshpërblim për ndotjen mjedisore që shkakton në brigjet raguziane nënvizohet në shkrimin e portalit ilpiccolo.gelocal.it.

Pero Kaciga, drejtori i kompanisë Cistosa, që merret me pastrimin e zonës, deklaron se heqja e mbeturinave kërkon një shpenzim të madh, që arrin deri në 3 mijë euro më shumë sesa parashikimi i llogaritur.

Në shkrim thuhet se sqarim për gjendjen e krijuar i është kërkuar edhe ambasadorit shqiptar në Kroaci, Pellumb Qazimi, i cili jep shpjegime për këtë situatë të komplikuar.

“Vendgrumbullimet e mbeturinave në vendin tonë nuk janë ende në nivelin e atyre europiane. Reshjet e dendura të dëborës dhe shirave të muajve të fundit kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumit Drin, i cili ka marrë me vete mbeturina të shumta. Plehrat janë transportuar drejt detit dhe nga aty janë ngjitur deri në brigjet dalmate. Dua të specifikoj se vazhdimisht kam mbajtur të informuar qeverinë time për këtë problem”,- ka thënë Qazimi.

Vite më parë mbeturinat “made in Albania” kanë ndotur edhe brigjet e ishullit Lunga dhe ishujve të tjerë që ndodhen në distancë të largët me Raguzën, përfundon shkrimi i Il Piccolo. 

Linku i lajmit të publikuar tek Il Piccolo: http://ilpiccolo.gelocal.it/cronaca/2013/04/23/news/ragusa-nuova-ondata-di-rifiuti-dall-albania-1.6938588

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/