TIRANE, 24 prill 2013 – Këshilli i ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme disa ndryshime në postet e zv.ministrave. Në vendimet e zbardhura në faqen e kryeministrisë mësohet se është emëruar në postin e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Z. Kreshnik Çollaku. 

Vendimi tjetër ka të bëjë me emërimin në postin e zëvendësministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Sajmir Hoxhës. 

Ndërkohë Flamur Kuçi është emëruar zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transportit. 

Në mbledhjen e qeverisë është miratuar edhe emërimi i Basir Çollakut në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Në vendim thuhet se “Në mbështetje të neneve 95, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave v e n d o s i: 1. Z. Gëzim Podgorica, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, lirohet nga kjo detyrë. 2. Z. Basir Çollaku emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”. 

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/