TIRANË, 24 prill 2013-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi sot emërimin e Xhezair Zaganjorit si Kryetar i Gjykatës së Lartë dhe emërimin e Fatos Lulo, si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Dekretet e presidentit do të shqyrtohen në orën 14:30 në Komisionin e Ligjeve.

Zyra e Presidencës bën me dije se: Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136, pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së Shqipërisë, dekretoi emërimin e zotit Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë. Xhezair Zaganjori është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë me dekretin nr.8065, datëë 22.03.2013 të Presidentit të Republikës. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 5/2013 ka dhënë pëlqimin për emërimin e Z. Zaganjori, anëtar i Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e Presidencës. 

Xhezair Zaganjori u betua sot si gjyqtar i ri, përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, në një ceremoni të organizuar në zyrat e kësaj gjykate. Anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë, u betua solemnisht se do t’i qëndrojë kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi duke respektuar rregullat e etikës profesionale. 

Po sot: “Bazuar në nenin 93 dhe 125, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bujar Nishani dekretoi emërimin e zotit Fatos Lulo si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Me shkresën nr. Prot.824, datë 22.04.2013 të dërguar nga Kryetarja e Kuvendit, Znj. Jozefina Topalli, duke konsideruar të ezauruar dekretin për emërimin e z. Artan Hoxha, kërkohet dërgimi i një kandidature të re, e cila të plotësojë kriteret kushtetuese dhe ato të meritës”. 

CV XHEZAIR ZAGANJORIT

Xhezair Zaganjori, emërohet si anëtar i Gjykatës së Lartë pas ushtrimit të detyrës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, prej vitit 2003-2013. Ka lindur më 09.03.1957 në Shkodër dhe është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë. Në vitin 1988 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2009 “Profesor”. 

Në vitet 1998-1999 ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese, në Heidelberg të R.F. të Gjermanisë. Që prej vitit 2001, është anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Prof.Dr. Xhezair Zaganjori është autor i një sërë botimesh shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrës aktiv në kongrese e konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.