TIRANË, 24 prill 2013- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) shqyrtoi dhe miratoi sot ne mbledhjen me 4 anëtarë, kërkesën e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) për caktimin e anëtarit të LSI-së në përbërjen e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ)".
Të katër anëtarët e KQZ, pasi e argumentuan të drejtë kërkesën e LSI e votuan me pas në unanimitet me 4 vota pro.
Miratimi i kërkesës sjell heqjen e anëtarit të PBDNJ dhe kalimin e këtij anëtari tek LSI.
Sipas relacionit shoqërues të aktit LSI i kërkon KQZ-së që të caktohet si parti e cila ka të drejtë të paraqesë propozime për anëtar në KZAZ. Kjo kërkesë e saj vjen pas pranimit dje nga KQZ të kërkesës së PR-së, së cilës i njohu të drejtën për të caktuar anëtar në KZAZ, si parti e dytë e shumicës parlamentare.
Nisur nga fakti se LSI tashmë renditet si parti e opozitës parlamentare dhe në bazë të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 2009-s, ku LSI renditet e dyta nga numri i mandateve në grupin e partive të opozitës parlamentare, duhet të caktohet ajo force që ka të drejtë të propozojë anëtar në KZAZ.
Në bazë të renditjes sipas numrit të mandateve që kanë fituar partitë politike nga zgjedhjet pararendëse rezulton se partitë që vinë pas Partisë Socialiste dhe i përkasin grupit të partive të opozitës parlamentare, janë Partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Në fund të mbledhjes pasi 4 kartonat ishin pro kërkesës së LSI, përfaqësuesi i LSI, Ylli Manjani u shpreh: Vdekje fashizmit!.
E befasuar kryetarja Lefterie Lleshi pyeti: “Cfarë the?”, por debati nuk vijoi më tej.





