SHIJAK, 24 prill 2013– Mëngjesin e ditës së sotme, rreth orës 08.05, pas një telefonate që policia ka marrë në Sallën Operative të Shijakut, ku bëhej fjalë se në fshatin Gjepalaj një shtetas po qëllonte me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit 52-vjecar me iniciale B.Gj., në vend shkuan menjëherë shërbime të këtij Komisariati, të cilët lokalizuan shtetasin Blerim Gjepali, 37 vjec, banues në po këtë fshat. Ky shtetas ishte i armatosur me armë zjarri automatik.

Pas kërkesës së bërë për mbështetje nga shërbimet e specializuara RENEA, shërbimet në vendngjarje arritën të vendosin negocim me shtetasin e armatosur, i cili paraqiste shkallë të lartë agresiviteti.

Duke mbajtur parasysh në radhë të parë sigurinë e efektivit, nga ana e forcave blu u arrit të ndërhyhet duke bërë të mundur neutralizimin e personit të armatosur.

Në vendngjarje  u bllokua arma e zjarrit automatik model 56, e pajisur me krëhër dhe në gjendje të armatosur (me fishek në fole).

Sipas piolicisë së Durrësit nga verifikimet e para mendohet se ngjarja ka ndodhur për motive tejet banale (mosdhënia e një shume parash borxh autorit nga djali i të dëmtuarit).

Me sigurimin e vendit të ngjarjes blutë aktualisht po vijojnë me kryerjen e veprimeve të para.  

Ndërkohë, po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes .

Në vazhdimësi pritet më tepër informacion mbi procedimin penal të këtij shtetasi, i cili aktualisht ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Shijak.

Dy ditë më parë shërbimet e këtij komisariati, në sajë të ndërhyrjes në kohë arritën të shmangin një tjetër ngjarje brenda familjes në fshatin Gjepalaj, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit.