TIRANË, 16 prill 2013– Kryetari i PS-së, Edi Rama e cilësoi të turpshëm vendimin e Kuvendit për të ndërhyrë në përbërjen e institucionit të KQZ-së, me shkarkimin e anëtarit të propozuar nga LSI-ja, Ilirjan Muho. Ndërsa vlerësoi qëndrimin e përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së për këtë çështje, kryesocialisti ironizoi votimin e 3 ish-deputetëve të PS-së në favor të nismës së mazhorancës, duke i quajtur ata “mercenarë të verbuar prej joshjeve të pushtetit të korrupsionit”.
“Ajo që ndodhi dje në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka goditur vetëm Kushtetutën, zgjedhjet, KQZ, por ka goditur Shqipërinë në sytë e miqve dhe partnerëve. Një akt tipik për një sundimtar të marrë fund që rri në këmbë vetëm falë një grupi mercenaresh. Mirënjohje SHBA-së dhe BE-së për qëndrimin e qartë dhe të prerë për aktin brutal të njëanshëm që ka hapur edhe gropën ku do të prehet me turp pushteti i tij. Seanca e djeshme nga ana e qeverisë, e shumicës së përbërë nga deputetë që e ndjekin në mënyrë të verbër dhe nga mercenare të verbuar prej joshjeve të pushtetit të korrupsionit ishte një fotokopje e seancës së zgjedhjes se presidentit në mars të vitit 1997, për nga hapësira tërësisht e izoluar, qoftë së brendshmi dhe qoftë së jashtmi në të cilën u zhvillua”,- u shpreh Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.
Kryesocialisti u zotua përpara shqiptarëve për atë që e quajti fitore të sigurt të koalicionit opozitar në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, 23 qershori është dita kur Shqipëria do të vendosë dhe sipas tij, asgjë nuk do ta ndalë vendimin e sovranit.
“Kryeministri në ikje po e përjeton keq e më keq verën e një vetmie të madhe, ku ka mbetur pa një aleat serioz, fillikat si në vitin ‘97, i rrethuar nga qorra dhe mercenarë përballë një furie popullore që do t’i japë fund qëndrimit të tij në 23 qershor. Për ne nuk ka asnjë ngurrim, e kemi ditur që në krye të erës se kë kemi përballë, e dimë po ashtu se sot jemi më të fortë se asnjëherë dhe si asnjëherë më parë të gjitha manovrat e paligjshme të Saliut nuk kanë asnjë shans ta ndryshojnë fatin e zgjedhjeve. Do të rrijë në pushtet deri në 23 qershor falë këmbës së Saliut dhe 3 këmbëve të marra nga rruga e mercenarëve. Edhe sikur në shtëpi t’i numërojë votat, Saliu do të largohet nga pushteti me votë plebishitare”,- u shpreh lideri i opozitës.





