TIRANE, 16 prill 2013- Partia Socialiste vijon fushatën denoncuese “100 arsye për të mos votuar Berishën”. Në një konferencë për shtyp nga selia e PS-së, deputeti Eduard Shalsi akuzoi kryeministrin Berisha për korrupsion me koncesionet, që sipas tij, “janë bërë vetëm për përfitime të njerëzve të lidhur me familjen në pushet dhe nuk i kanë sjellë asnjë dobi qytetarëve shqiptarë.”
Sipas deputetit socialist, shumë projekte koncesionare punojnë me moton shfrytëzo dhe shkatërro, duke ndotur mjedisin e shkatërruar pasuritë natyrore.
“Berisha, kryeministri i dështimeve të njëpasnjëshme që e ka rrënuar Shqipërinë. Shumë projekte koncesionare kanë pasur një impakt të tmerrshëm në mjedis. Nuk i kanë sjellë asnjë dobi qytetarëve. Miliona dollarë të zhdukura, ndërsa miliona të tjetrë të rrezikuara. Aferat me koncesionet kanë marrë jetë njerëzore. Kanë humbur jetën mbi 30 minatorë në galeritë e minierave.”- u shpreh Shalsi.
Më tej Shalsi akuzoi qeverinë për mosrespektimin e afateve të licencave për koncesionet në veprat hidroenergjetike. Ai përmendi edhe privatizimin e Albpetrolit duke thënë: “Berisha është i vetmi kryeministër që tentoi të koncesionojë një pasuri siç është nafta. Ai tentoi, por fatmirësisht dështoi me ARMO-n dhe Albpetrolin. Sot Shqipëria importon nga jashtë dhe eksporton naftë. Por importon shtrenjtë dhe eksporton 2 herë më lirë.”- vijoi Shalsi.
Në përfundim ai nënvizoi angazhimin e Partisë Socialiste për të mundësuar shfrytëzimin optimal të pasurive të vendit, me përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë.
“Do të kërkojmë anulimin e të gjitha marrëveshjeve që kanë shkelur ligjin në dëm të interesit të shqiptarëve”- theksoi Shalsi.





