- Drejtori i policisë Emri Vata: Problem grabitësit që vijnë nga rrethet
DURRES, 15 prill 2013 – Durrësi është kthyer së fundmi në vendin më të preferuar për grabitësit e banesave, lokaleve, automjeteve dhe jo vetëm. Mesatarisht në ditë, në sallën operative të Durrësit denoncohen të paktën 3 vjedhje. Por ndryshe nga e kaluara vjedhjet nuk ndodhin vetëm natën, por edhe në mes të ditës. Fakti pranohet nga drejtues të policisë së Durrësit. Viktima të vjedhjeve janë kalimtarë, subjekte private e shtetërore, ndërsa zonat me numrim më të madh të rasteve të denoncuara janë lagjet periferike të qytetit si Shkozeti, Plazhi, Spitalla, por edhe lagjja nr.18.
Situata
Çdo ditë në njoftimet e policisë së Durrësit raportohet për vjedhje, çka tregon që një brez i tërë po kthehet në një fenomen tepër shqetësues për shoqërinë. Krimet që mbajnë kryesisht firmën e adoleshentëve, nisin që nga grabitjet e vogla si portofolët, bizhuteritë dhe çdo gjë tjetër që mund t’iu sigurojë para dhe deri tek krimet më të sofistikuara. Jo vetëm në Durrës, por edhe në qytete të tjera, të miturit rezultojnë të implikuar në numrin më të madh të vjedhjeve ordinere, të cilat në disa raste kryhen edhe brenda familjes. Në këto rrethana, sytë e të gjithëve janë kthyer nga policia, ndonëse ky fenomen është një problem i madh për të gjithë shoqërinë dhe si i tillë kërkon vëmendjen e të gjitha strukturave.
Policia
Problem për strukturat policore mbeten hajdutët e ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, të cilët nuk janë të skeduar në database-n e policisë së Durrësit. Pikërisht këta persona sipas drejtorit të policisë, Emri Vata, në mënyrë të organizur godasin dhe kryejnë vjedhje në qytetin bregdetar, për t’u larguar më pas drejt vendeve të origjinës. Kjo, sipas Vatës bën që zbardhja e vjedhjes të marrë më shumë kohë. Personat të cilët kanë qenë më herët të dënuar për veprën penale të vjedhjes janë një tjetër kategori mjaft e rrezikshme. Ndonëse këta persona tregon Vata, janë të skeduar si persona me tendencë kriminale, përballja e tyre me ligjin, njohja me provat për herë të parë, bën që pas daljes së tyre nga burgu të sofistikojnë më shumë krimin.
“Pikërisht personat që e kanë kryer një herë vjedhje janë dhe personat që kanë tendencën më të madhe për ta përsëritur krimin, por këtë herë ata tregohen më te kujdesshëm duke mos lënë gjurmë gjatë kryerjes së vjedhjes. Pra përballja me ligjin, ka bërë që këta të fundit të sofistikojnë krimin, duke u bërë më profesionist”,- thotë Vata.
Plani i masave
Në të shumtën e rasteve grabitësit organizohen në grupe të vogla për të vënë në jetë planin e tyre. Sistemi i vjedhjes funksionon në grupe, për këtë policia ka hartuar planin e masave në drejtim të goditjes së aktiviteteve kriminale të disa grupeve që veprojnë nën juridiksionin e komisaritit Durrës. Sipas drejtorit të policisë, Emri Vata, është bërë një raport i detajuar mbi personat me tendencë kriminale apo mbi zonat më të goditura nga fenomeni i vjedhjes. Ai deklaron se në luftën kundër fenomenit të vjedhjes janë angazhuar shumë punonjës policie, të cilët në bazë të planit të punës, ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme dhe patrullojnë në zonat problematike, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës. Nga viti në vit, numri i vjedhjeve të cilat raportohen mbetet i lartë, por paralel me të është rritur dhe zbulueshmëria. Vetëm përgjatë 2012 në polici janë regjistruar 1112 vjedhje të ndodhura vetëm në rrethin e Durrësit, ndërkohë që policia ka mundur të zbulojë autorët në vetëm 75% të rasteve.
STATISTIKA
Seksioni Kundër Vjedhjeve me Armë e Dhunë
– Përgjatë vitit 212 evidentuar 1112 vjedhje
– Vjedhje lokali
– Vjedhje banese
– Vjedhje mjeti
– Vjedhje servisi
– Vjedhje zyre noteriale
– Vjedhje kazino
– Vjedhje te tjera
– Zbuluar 837 vepra penale të vjedhjes
– Identifikuar 968 autorë
– Shpallur në kërkim 98 autorë
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





