Ka ndërruar jetë Ana Dyrmishi, vajza 25 vjeçe nga Durrësi që mbeti e plagosur rëndë nga zjarri në hotelin “Brooklyn” në Vlorë.
Ajo kishte pësuar djegie në rreth 85% të trupit gjatë ngjarjes tragjike të 16 gushtit. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ajo u transferua në Turqi për mjekim të specializuar.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e 25-vjeçares mbeti kritike dhe ajo ndërroi jetë këtë të premte.
Ana Dyrmishi jetonte së bashku me familjen në zonën e Shkozetit, në Durrës.
Zjarri në hotelin “Brooklyn” shpërtheu në orët e para të 16 gushtit dhe shkaktoi plagosjen e gjashtë personave. Për t’u shpëtuar flakëve, disa prej të pranishmëve u detyruan të largoheshin nga godina përmes ballkoneve dhe pësuan fraktura të rënda.





