BRITANI, 15 prill 2013 – Qindra shpendë deti janë gjetur të ngordhur ose duke ngordhur në bregdetin jugperëndimor të Anglisë. Me sa duket, shkaku i ngordhjes së shpendëve është ndotja e ujërave. Trupat e zogjve janë të mbuluar me një substancë të ngjashme me një lëndë ngjitëse.

Organizata bamirëse britanike në ndihmë të kafshëve deklaroi se shpendët ka mundësi të kenë rënë në kontakt me substancën ngjitëse, kur janë ulur në ujë për të gjetur ushqim.

Pas një incidenti të ngjashëm në shkurt, ekspertët zbuluan se substanca, me të cilën qenë mbuluar trupat e shpendëve, ishte Butil kauçuk- shtues ky që përzihet me naftën për të rritur efiçencën e motorëve të anijeve.