·        Ekskluzive e “Dyrrah”-ut / Kështu Myftinia e Durrësit i kërkon LSI-PS-së një “vendim paraelektoral” të përbashkët me premtimin për zhbllokimin  e pronave për të shporrur “besimtarin e devotshëm” më 23 qershor

·        Akuza: Sali Berisha në vitin 1967 u dekorua nga Enver Hoxha si kryetar grupi për shkatërrimin e institucioneve të kultit

 

DURRËS, 14 prill 2013 –Myftinia e rrethit të Durrësit i kërkon koalicionit të majtë premtimin se do t’i zhbllokohen 30 xhamitë dhe në këmbim do t’i japin mijëra vota, kërkesa e rrallë dhe e bujshme është nënshkruar nga shefi i financës Ymer Shullani.

Agjencia e lajmeve “Dyrrah” boton faksimilen e një letre të shkurtër që Ymer Shullani, shefi i financës i Myftinisë së Durrësit, i ka dërguar LSI-së (një kopje i është dërguar dhe PS-së) në Durrës dhe Tiranë.

Në këtë letër zbulohet fakti se Kryeministri Sali Berisha “në vitin 1967 u dekorua nga Enver Hoxha si kryetar grupi për shkatërrimin e institucioneve të kultit në të gjithë vendin”.

Shullani kërkon që opozita e majtë të marrë vendim të përbashkët paraelektoral me Myftininë se “pas 23 qershorit 2013 do t’i kthejmë Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe të gjithë myslimanëve të Shqipërisë xhamitë dhe të gjitha pronat e mbajtura të bllokuara (vetëm në rrethin e Durrësit janë bllokuar 30 xhami) nga kryeministri në ikje”.

Shullani i tha “Dyrrah”-ut se kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli është kujdesur që kisha katolike të marrë të gjitha pronat dhe objektet e kultit, gjë që reflektohet dhe në qëndrimin pro-qeveritar të krerëve të këtij komuniteti fetar.  

“Vetëm duke zhbllokuar pronat e 70 për qind myslimanëve të Shqipërisë, mund të shporrim “besimtarin e devotshëm” Sali Berisha në betejën e madhe të 23 qershorit 2013”, thotë Shullani në kërkesë.

Letra mbyllet në mënyrë patetike, duke vënë në dukje se, po të jepet ky premtim nga e majta, “rruga jonë në 23 qershor 2013 do të jetë më se triumfuese dhe njëkohësisht heroike”.

 

Reagimi i Myftinisë Durrës

Pas publikimit nga Agjencia e lajmeve "Dyrrah" te letres se shkruar nga Ymer Shullani, shefi i financës i Myftinisë së Durrësit, drejtuar LSI dhe PS ka reaguar Myftinia e Durresit. Ne nje deklarate te shkurter te publikuar ne faqen zyrtare ne Facebook Myftinia sqaron se qendrimet dhe opinionet personale nuk perfaqesojne qendrimin zyrtar te saj. Me poshte do te gjeni reagimin e plote te Myftinise Durres:

 

Komuniteti Mysliman i Shqiperise, Myftinia e Durresit, deshiron te informoje opinionin publik se deklaratat, kerkesat apo prononcimet zyrtare ne emer te kesaj myftinie i ben vetem Myftiu i Durresit, ne qendrimet apo shfaqet e tij ne mediat e shkruara, vizive dhe elektronike. Cdo deklarate, kerkese apo prononcim tjeter i shprehur jozyrtarisht nga persona te tjere, pa tager e titullinstitucional, jane thjeshte dhe vetem opinione personale, qe ne asnje rast nuk mund as te perfaqesojne e as te shprehin qendrimin zyratar te kesaj myftinie. 

E konsiderojme me vend edhe qe t'i sjellim ne vemendje te gjithe opinionit publik se Komuniteti Mysliman i Shqiperise, Myftinia e Durresit, e ka detyrim ligjor dhe statuor te jete dhe mbetet nje institucion fetar dhe jopolitik, i baraslarguar dhe ne marredhenie korrekte me te gjitha forcat politike te vendit, duke qene i vendosur te mos lejoje askend qe ta instrumentalizoje kete institucion per qellime elektorale dhe politike. Sikunder, u lutemi edhe redaksive te mediave te shkruara, vizive dhe elektronike qe te qendrojne ne lartesine e seriozitetit te detyres dhe te mos tregojne papjekuri dhe mungese te skrupolozitetit profesional duke spekuluar apo botuar lajme te paverteta.

Me shume respekt,

Myftinia e Durresit

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/