Ekipet e kërkim-shpëtimit po zhvillojnë një operacion intensiv për të nxjerrë mbi 100 punëtorë të bllokuar në një tunel nëntokësor, në një kantier për ndërtimin e një dige hidroelektrike në Nepal.

Punëtorët mbetën të bllokuar pas rrëshqitjeve masive të dheut dhe përmbytjeve shkatërruese që goditën të mërkurën rajonin verior të Nepalit, pranë kufirit me Kinën.

Zëdhënësi i ushtrisë nepaleze, Raja Ram Basnet, tha për AFP se autoritetet kishin marrë informacion për persona të bllokuar në tunelin e kantierit të ndërtimit të digës në Trishuli.

Sipas shërbimeve të kryeministrit, rreth 350 punëtorë dhe banorë të zonës që kishin mbetur të bllokuar janë evakuuar me urgjencë. Megjithatë, besohet se mbi 100 persona të tjerë vijojnë të jenë të bllokuar brenda tunelit.

Ndërkohë, bilanci i viktimave nga rrëshqitjet masive të dheut dhe përmbytjet në Nepalin verior është rritur në të paktën 469 persona, sipas një bilanci të ri të publikuar nga policia e vendit.

Katastrofa ka shkaktuar dëme të mëdha në zonat pranë kufirit me Kinën, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në disa zona të prekura.

Autoritetet kineze kanë raportuar gjithashtu tre viktima në Tibet, rajon autonom i Kinës. Si pasojë, bilanci paraprak i katastrofës shkon në të paktën 472 të vdekur dhe mbi 1,400 persona të zhdukur.

Mes personave të zhdukur dyshohet se ndodhen edhe qindra turistë të huaj, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuarit dhe personat e zhdukur.