Sulmet e Shteteve të Bashkuara ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge në ujërat ndërkombëtare të Karaibeve dhe Oqeanit Paqësor shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit, sipas një raporti të ekspertit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe kundërterrorizmin, Ben Saul.

Sipas raportit, ushtria amerikane ka goditur 68 anije në ujërat ndërkombëtare gjatë periudhës nga shtatori 2025 deri në gusht 2026, duke shkaktuar të paktën 223 viktima.

Administrata amerikane i ka mbrojtur operacionet duke i cilësuar ato si akte vetëmbrojtjeje kundër të ashtuquajturve “narko-terroristë”. Presidenti Donald Trump i ka thënë Kongresit se operacionet lidhen me një gjendje konflikti të armatosur me organizata të përcaktuara nga SHBA-ja si terroriste.

Por eksperti i OKB-së e kundërshton këtë argumentim. Në raport thuhet se sulmet amerikane janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, shkelin të drejtën për jetën dhe “në mënyrë të besueshme mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit”.

Sipas Saul, trafikimi i drogës nuk përbën një “sulm të armatosur” në kuptimin juridik që do t’u jepte Shteteve të Bashkuara të drejtën për të përdorur forcën në vetëmbrojtje.

Raporti vëren gjithashtu se nuk ka, sipas tij, bazë faktike të mjaftueshme për të provuar se disa prej organizatave të shpallura “terroriste” nga SHBA-ja, përfshirë Tren de Aragua, vepronin si forca të armatosura në emër të shtetit venezuelian.

Eksperti thekson se ekzistonin alternativa më pak vdekjeprurëse, përfshirë ndalimin dhe kontrollin e anijeve në det. Ai i referohet edhe deklaratave të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, se ndërhyrjet detare ishin të mundshme.

Raporti argumenton se përdorimi i forcës vdekjeprurëse duhet të jetë masa e fundit dhe vetëm kur ekziston një kërcënim i menjëhershëm për jetën. Sipas ekspertit, ky standard nuk ishte përmbushur në rastet e shqyrtuara.

“Vrasjet mund të përbëjnë krim kundër njerëzimit”

Raporti shkon më tej duke argumentuar se vrasjet mund të plotësojnë kriteret juridike të vrasjes si krim kundër njerëzimit, pasi, sipas tij, ato janë kryer në mënyrë sistematike, në kuadër të një politike shtetërore të organizuar dhe kanë prekur një numër të madh viktimash.

Eksperti i OKB-së i bën thirrje SHBA-së të hetojë sulmet, të ndjekë penalisht personat përgjegjës, përfshirë zyrtarët politikë dhe ushtarakë që kanë urdhëruar operacionet, si dhe të ofrojë dëmshpërblime për familjet e viktimave.

Raporti u publikua vetëm dy ditë pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte vrarë katër persona në një sulm ndaj një anijeje në Detin e Karaibeve.

Pikëpyetje edhe për efektivitetin e operacionit

Përveç ligjshmërisë, raporti vë në pikëpyetje edhe efektivitetin e fushatës amerikane në luftën kundër trafikut të drogës

Sipas dokumentit, sekuestrimet e kokainës në kufirin amerikan kanë mbetur relativisht të qëndrueshme, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e kokainës që hyn në SHBA transportohet përmes anijeve të mëdha të mallrave, të cilat rrallë kontrollohen, dhe jo përmes varkave të vogla të goditura nga operacionet amerikane.

Raporti thekson gjithashtu se operacionet nuk kanë adresuar krizën e fentanilit dhe opioideve, të cilat zakonisht nuk transportohen nga Venezuela përmes rrugëve detare dhe përbëjnë një pjesë kryesore të krizës së mbidozimeve në Shtetet e Bashkuara.

Eksperti paralajmëron se eliminimi i personave të nivelit të ulët në zinxhirin e trafikut mund të dëmtojë përpjekjet për të zbërthyer rrjetet kriminale dhe për të vënë para drejtësisë drejtuesit e tyre.

Sipas raportit, deri në mesin e vitit 2026 operacionet ushtarake kishin kushtuar rreth 4.7 miliardë dollarë, fonde që, sipas ekspertit, mund të ishin përdorur për masa të tjera të zbatimit të ligjit, shëndetit publik dhe zhvillimit.