Një sulm i armatosur ka ndodhur mëngjesin e së martës jashtë një shkolle në lagjen Turgutlu të Manisës, në Turqi, duke lënë të plagosur disa nxënës.

Sipas informacioneve paraprake, një person i paidentifikuar ka hapur zjarr me pushkë gjahu pranë Shkollës së Mesme Teknike dhe Orientale Profesionale “Turgutlu İnci Üzmez”, rreth orës 08:00.

Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie dhe ambulanca. Nxënësit e plagosur u transportuan për ndihmë mjekësore në Spitalin Shtetëror të Turgutlusë.

Autori dyshohet se është larguar në këmbë pas sulmit dhe policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.

Hetimet vijojnë në vendin e ngjarjes, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura motivet e sulmit dhe numri i saktë i personave të plagosur.