Komiteti i Shërbimeve të Armatosura i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara ka nisur hetimet pasi një ngarkesë me komponentë të avionëve luftarakë F-35 përfundoi në Hong Kong në vend që të mbërrinte në SHBA.

Sipas raportimit të Bloomberg, pjesët po transportoheshin nga Australia drejt Shteteve të Bashkuara për riparime, por për arsye ende të panjohura ngarkesa ndryshoi itinerar dhe përfundoi në Hong Kong.

Incidenti ka shkaktuar shqetësim në Kongres për shkak të rrezikut që teknologjia e klasifikuar ushtarake të mund të ekspozohet dhe potencialisht të analizohet përmes inxhinierisë së kundërt.

“Komiteti është në dijeni të këtij problemi dhe kemi marrë disa raportime për këtë çështje. Komiteti vazhdon të shqyrtojë incidentin dhe ta mbikëqyrë atë”, deklaroi zëdhënësja e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, Heather Vaughn.

Zyra e programit F-35 në Pentagon konfirmoi incidentin, por nuk bëri të ditur se cilët komponentë ndodheshin në ngarkesë.

“Jemi në dijeni të problemit me dërgesën e komponentëve të papërdorshëm të F-35 dhe po punojmë aktivisht me autoritetet amerikane dhe partnerët e industrisë për rikthimin e këtyre pjesëve, hetimin e incidentit dhe marrjen e masave për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, bëri të ditur programi.

Edhe Lockheed Martin, që menaxhon zinxhirin e furnizimit të programit dhe përdor transportues komercialë për dërgesat, tha se për arsye sigurie nuk mund të diskutonte statusin e ngarkesave specifike apo procedurat e transportit.

Sipas Politico, që raportoi fillimisht për incidentin më 18 shtator, në ngarkesë ndodhej edhe një komponent i kabinës së F-35, i prodhuar duke përdorur teknologji stealth, në të cilën kanë akses vetëm Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.