Familja e Presley Gerber ndodhet në shok pas vdekjes së 27-vjeçarit, ndërsa prindërit e tij, modelja e njohur Cindy Crawford dhe biznesmeni Rande Gerber, së bashku me motrën Kaia, po përpiqen të përballojnë dhimbjen e humbjes.

Persona pranë familjes kanë bërë me dije se të afërmit e Presley-t nuk reshtën kurrë së qëndruari pranë tij gjatë betejës së gjatë me varësinë dhe problemet e shëndetit mendor.

“Familja është në shok të plotë. Janë të pikëlluar”, tha për People një burim pranë Kaia-s.

Sipas tij, Kaia e vlerësonte faktin që vëllai i saj fliste hapur për vështirësitë që po kalonte.

Sipas burimit, familja ishte krenare që Presley, pavarësisht problemeve të tij, gjente forcën për të ndihmuar edhe të tjerë.

Një tjetër burim pranë Cindy Crawford tha se ajo dhe Rande Gerber kishin qenë gjithmonë të pranishëm në jetën e djalit të tyre dhe kishin bërë gjithçka që mundeshin për ta ndihmuar.

Presley kishte kaluar periudha me shumë ulje-ngritje. Në disa momente gjendja e tij ishte përmirësuar dhe ai kishte punuar edhe në restorantin e familjes në Malibu, por më pas kishte pasur sërish rikthime në varësi.

Presley, djali i vetëm i Cindy Crawford dhe Rande Gerber, ndërroi jetë të dielën, më 20 shtator, në një klinikë rehabilitimi, sipas autoriteteve mjeko-ligjore të Qarkut Los Angeles. Autopsia ka përfunduar, por shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar zyrtarisht.

Një regjistrim i telefonatës në 911, i siguruar nga Page Six, tregon se ai pësoi arrest kardiak, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për rrethanat e vdekjes. Raportime të ndryshme kanë ngritur dyshime për një mbidozë substancash narkotike, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Familja ka konfirmuar vdekjen e tij dhe ka kërkuar privatësi gjatë kësaj periudhe të dhimbshme dhe të vështirë për ta.