SHBA, 14 prill 2013 – Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shprehur dëshirën të bashkëpunojnë për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga ambicjet e saj bërthamore. Por nuk është e qartë si synojnë ta arrijnë këtë. Koreja e Veriut ishte dje në krye të rendit të ditës gjatë takimit të shefit të diplomacisë amerikane me zyrtarët kinezë në Pekin. Sekretari i Shtetit John Kerry tha se si Pekini, ashtu edhe Uashingtoni mbështesin synimin për një gadishull korean pa armë bërthamore:

“Kina dhe Shtetet e Bashkuara shprehën përsëri angazhimin e tyre për të gjetur një zgjidhje paqësore. I themi Kim Jung Unit dhe qeverisë koreano-veriore se kanë një opsion të qartë në këtë rast, të bashkohen me ne për një zgjidhje me negociata. Pavarësisht nga veprimet e tyre, ne do të vazhdojmë përpjekjet për këtë zgjidhje”. 

Zoti Kerry ka kërkuar nga zyrtarët kinezë të përdorin ndikimin e tyre si aleati më i madh i Koresë së Veriut për ta nxitur të heqë dorë nga provokacionet. Megjithatë, Kina nuk dha sinjale dje se do të shkallëzonte presionin ndaj fqinjit të saj.

Vizita e zotit Kerry në Pekin ishte një ndër ndalesat gjatë turneut të tij katër ditësh në Azi, në një kohë tensionesh lidhur me kërcënimet e Koresë së Veriut për sulm bërthamor.