TIRANE, 14 prill 2013- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka prezantuar kapitullin për rininë, pjesë e programit “Për një Rilindje Shqiptare”, gjatë një takimi me të rinjtë e komunës Petrelë në Tiranë. Kryesocialisti Rama theksoi rëndësinë që do t’i japë qeverisja socialiste reformimit të sistemit arsimor.
“Ne jemi të vendosur që t’i rikthejmë shkollat në qendra komunitare. Ne jemi të vendosur që t’ua kthejmë investimet prindërve tuaj, që sakrifikojnë shumë për ‘ju çuar juve në shkollë. Por njëkohësisht t’ju rikthejmë juve, në fund të këtij rrugëtimi, investimin e energjive kohës dhe të mundit tuaj për tu pasuruar me dije.”- u shpreh kryetari i PS-së.
Rama është ndaluar edhe te mundësia që duhet t’iu jepet të rinjve që jetojnë në fshat, që nëpërmjet punës me tokën të fitojnë dhe të rrisin mirëqenien e tyre.
“Toka sot nuk i jep njerëzve që jetojnë në fshat mundësinë që të krijojnë mirëqenie. Ne duam që toka ta bëjë këtë, ashtu siç e bën në të gjitha vendet e Europës, ku nuk ekzistojnë më fshatarët e varfër. Toka është një pasuri e madhe që mund të prodhojë pasuri të mjaftueshme për njerëzit që jetojnë në fshat dhe mund të garantojë vazhdimësinë e një jete normale për gjeneratat e reja të fshatit.”- tha Rama.
Kreu i PS-së ka deklaruar para te rinjve të Petrelës se nëpërmjet programit “Për një Rilindje Shqiptare”, qeveria socialiste do t’iu rikthejë atyre besimin se ëndrrat dhe shpresat janë të realizueshme.





