FIER, 14 prill 2013- Kryeministri Berisha nisi nga qyteti i Fierit një seri takimesh, në formatin town-hall, që do të zhvillojë me të rinjtë në të gjithë Shqipërinë. Në fillim të këtij takimi, kryeministri theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij për rritjen e mundësive për arsimimin dhe punësimin e të rinjve. 

“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për shkollimin më të mirë të të rinjve tanë. Ju i përkisni një gjenerate që fatmirësisht nuk e njihni më mbylljen e dyerve të universiteteve për ëndrrën tuaj. Por kjo situatë ekzistonte në vitin 2005 e më parë, në universitetet e vendit mund të hynin jo më shumë se 1/3 e të rinjve shqiptarë. Dhe pranimet ishin një proces aspak i merituar, madje merrnin dhe aspektin e një panairi korrupsioni, me ato provime që jepeshin gjoja për pranim, por vetëm vlerësim objektiv nuk ishin. Ndrydhja dhe rrënimi i ëndrrës universitare të të riut është rrënimi i ëndrrës më të bukur të tij. Ne hapëm dyert e universiteteve dhe bëmë shumë mirë, sot numri i studentëve është 3 herë më i lartë se në vitin 2005. Akoma kemi shumë për të bërë në fushën e arsimit, sikurse kemi shumë bërë për të përshtatjen e cilësisë së shkollave të larta me tregun e punës. Akoma s`kemi dhënë mbështetjen atyre të rinjve që s`duan të ndjekin universitetin por ata kanë mundësi që me shkollat profesionale të jenë të dobishëm. Akoma kemi shumë për të bërë për cilësinë. Por jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për këtë.”- u shpreh kryeministri Berisha. 

Ndërsa renditi reformat e qeverisë së tij gjatë viteve të fundit, kryeministri e konsideroi mjaft të rëndësishëm vendimin për heqjen e çdo lloj takse për çdo të ri të punësuar për 3 vjet me radhë. 

“Ju me të drejtë kërkoni vendin e punës pas diplomës, kemi përcaktuar një rregull të veçantë, heqim çdo lloj takse për të rinjtë e punësuar për 3 vjet rresht. Kjo ka shumë rëndësi. Do bëjmë gjithçka për mikrokreditë për të rinjtë, Bashkia e Tiranës hapi siparin me 250 të parët. Qeveria po punon mbi këto skema dhe ne do bëjmë gjithçka që ju të gjeni mundësi, kredi pa interes dhe të ndrërtoni biznesin tuaj. Po përpiqemi të krijojmë kudo shanse të mëdha punësimi. Ne besojmë se me këto reforma ne do t’ia dalim që ju të punësohemi.”- u shpreh kryeministri. 

Kryeministri vuri në dukje se qeveria gjatë këtyre viteve ka bërë të mundur uljen e çmimit të internetit dhe të telefonisë celulare, ndërsa premtoi uljen e mëtjeshme të këtyre tarifave.
"Në politikën tonë, kur pak vite më parë shpallëm projektin 'Shqipëria dixhitale', heroi i ditës ishte i riu dhe nuk gabova. Ne jemi kombi më i ri në Europë dhe kemi çdo mundësi për të kaluar nga prapambetja e madhe ku ishim. Vetëm 4.5% e të rinjve e njihnin internetin, ndërsa sot, nëse klikoni në statistikën e Facebook, do ta gjeni Shqipërinë në vendet e para dhe 15% prej jush janë miqtë e mi në këtë rrjet social", – tha Berisha. 
Ai vuri në dukje se çmimet e telefonisë celulare në vend janë ulur 3-5 herë, ndërsa së shpejti të rinjtë do kenë celularë në 4G. "Po japim internet falas në 1250 pika dhe sa të jetë në pushtet kjo parti do bëjë gjithçka për ta ulur çmimin e internetit, sepse interneti është njohuri", – theksoi kryeministri.

Më tej, kryeministri iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve në sallë si dhe pyetjeve të postuara në “Youtube” nga të rinjtë nga e gjithë Shqipëria. 

Kryeministri, në përgjigje të interesimit të të rinjve, tha se procesi i integrimi të vendit në BE mbetet angazhimi i tij më i madh. Ai shprehu bindjen se më 23 qershor shqiptarët do të votojnë për integrimin e tyre në Bashkimin Europian dhe për të shembur murin e bllokimit. 

"23 qershori po vjen dhe kam bindjen më të thellë se të rinjtë shqiptarë në radhë të parë, por dhe të gjithë shqiptarët, do votojnë për integrimin e tyre në BE, për të shembur murin e bllokimit. Kam besim se shqiptarët do t'i japin atij përgjigjen e merituar",- tha Berisha. 

Ne, vijoi ai, "e kemi marrë shumë seriozisht integrimin, që është një proces me shumë reforma, ligje e procedura që synojnë ta afrojnë Shqipërinë me standardet europiane. Ne i plotësuam të gjitha, përveç tre ligjeve, votimi i të cilave kërkonte 3/5 e votave. Ne, si qeveri arritëm që me reformat tona të bindim KE që të deklarohej se pas votimit të tre ligjeve se Shqipëria e meritonte statusin. Por, këto tre ligje u përdorën për pengmarrjen e statusit nga kryetari i opozitës, do të thosha, me një ligësi ekstreme dhe kalkulim të madh, sepse nëse i votonim bashkarisht dhe do të merrnim statusin, meritë për këtë do kishte si qeveria dhe opozita", u shpreh kryeministri Berisha.