DURRES, 14 prill 2013 – Rritja e temperaturave ka shtyrë qytetarët durrsakë dhe ata tiranas, por edhe vizitorë të ardhur nga trevat shqipfolëse si Kosova e Maqedonia të dynden drejt plazhit të Durrësit për të kaluar fundjavën. Duke shijuar temperaturat pranverore pas një dimri të gjatë e plot reshje qytetarët e kanë shfrytëzuar ditën e pushimit për të kaluar pak orë relaksi në bregdetin durrsak. Lokalet dhe restorantet e ngritura përgjatë vijës bregdetare kanë qenë të mbipopulluara. Mjaft vizitorë kanë preferuar të zhvillojnë aktivitete të ndryshme sportive përgjatë bregdetit, apo të marrin rreze dielli. Ndërkohë ata më të guximshmit kanë tentuar dhe janë futur në ujë, duke sfiduar temperaturat e stinës që ende nuk janë të përshtatshme për larje në det.

Bizneset bëhen gati

Teksa shijon diellin e ngrohtë nën një peisazh të mrekullueshëm buzë detit konstaton që të vetmit që punojnë në këtë fundjavë janë bizneset private që po bëjnë përgatitjet e para për pritjen e pushuesve. Ndryshe nga strukturat vendore, të cilat ende nuk kanë marrë asnjë masë për të nisur punën për garantimin e një sezoni të suksesshëm, lokalet dhe restorantet po bëjnë riparimet dhe rregullimet e nevojshme që sezoni veror t’i gjejë gati. Në ndryshim nga bizneset që qëndrojnë hapur gjithë vitin, të tjerat janë ende të mbyllura dhe ashtu si çdo vit tjetër do të jetë mesi i muajit maj që do t’i shtyjë të hapin dyert për pushuesit.

Me shpresën që ky sezon turistik do të përmbushë pritshmërinë e tyre, njëri prej operatorëve turistikë, biznesmeni Lirim Islami, teksa shpreson që ky sezon veror, të jetë më i suksesshëm se vitet që lamë pas, rendit disa prej kërkesave që çdo biznesmen ka. Ai kërkon më shumë angazhim nga organet kompetente për ndërhyrjen në përmirësimin e shërbimeve publike pasi, sipas tij ato do të sillnin ndryshime rrënjësore në zhvillimin e turizmit, siç janë kushtet higjeno-sanitare, furnizimi me ujë e energji,  siguria publike, menaxhimi i plehrave, rojet bregdetare si dhe ndarja në mënyrë të drejtë e plazheve publike e private.

Islami pohon më tej se është koha e duhur që nga ana e strukturave lokale, të nisë puna për heqjen e grumbujve të leshterikëve dhe apo papastërtive të tjera të mbledhura gjatë stinës së ftohtë përgjatë brezit të rërës, me qëllim që t’i ofrohen pushuesve kushtet e duhura.

Ndotja e bregdetit

Plazhi i Durrësit, i cili mbetet një nga plazhet më të frekuentuara  nga pushues vendas dhe të huaj, këtë fundjavë  është pushtuar nga mbeturinat urbane, për shkak të mungesës së koshave, por edhe nga grumbuj të mëdha të leshterikut,  të grumbulluara përgjatë stinës së dimrit. Këtë foto të marra përgjatë ditës së sotme, tregojnë gjendjen e aktuale të plazhit. Zonat më të ndotura janë hapësirat e rërës në afërsi të Urës së Dajlanit, në sektorin Apollonia, si dhe në Iliria. Por krahas situatës së rënduar,  pastrimi i plazhit të Durrësit ende nuk është në fokusin e  politikave që po ndiqen në terren nga bashkia e qytetit, duke bërë që papastërtitë në këtë prag sezoni turistik të pushtojnë plazhin.

/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/