Ka pak kohë që është larguar nga aktivitetet artistike dhe në fakt ka një arsye të fortë. Mësojmë se këngëtarja e mirënjohur Rezarta Shkurta është rreth tre muaj shtatzënë dhe ka shtyrë për më vonë të gjitha impenjimet e tjera, për t’iu përkushtuar një ngjarjeje unike në jetën e një femre, siç është sjellja në jetë e një fëmije. E martuar prej shtatë vitesh me Ermal Hoxhën, këngëtarja 26-vjeçare ka bërë kuriozë shumë njerëz, për faktin pse në jetën e tyre nuk po hynte një fëmijë, meqenëse martesa e tyre mund të konsiderohet relativisht e gjatë.
E pyetur mbi këtë fakt në intervista të ndryshme, Rezarta është shprehur se ishte diçka që e dëshironin të dy, por, si një artiste e re, dëshironte t’i përkushtohej karrierës si këngëtare dhe për këtë fakt kishte gjetur mirëkuptimin edhe të bashkëshortit të saj. Pikërisht për këtë arsye, kur mësuam nga disa burime tonat lajmin e shtatzënisë, në fillim dyshuam për vërtetësinë, prandaj dhe vendosëm të pyesnim vetë këngëtaren. Ajo konfirmoi faktin që është shtatzënë, edhe pse na shprehu mungesën e dëshirës për ta publikuar atë në media, thjesht vetëm për supersticion.
Meqë nuk arriti të na bindë, pyetjes sonë nëse kjo shtatzëni ishte e planifikuar apo spontane, ajo iu përgjigj: “Ishte e planifikuar, ishim gati për t’u bërë prindër dhe jemi shumë të lumtur për këtë fakt”. Mësojmë se Rezarta këto kohë po rri në Durrës pranë familjës së saj, ku krahas përkujdesjes së bashkëshortit, ka edhe atë të familjarëve, si dhe i jep vetes mundësi të shijojë ajrin e pastër të bregut të detit, që është aq i rëndësishëm për një femër shtatzënë. Ne jemi shumë kureshtarë të shohim Rezartën shtatzënë, megjithëse është ende herët për të parë ndryshime të mëdha në fizikun e saj. Është gjithmonë shumë interesante të shohësh një femër seksi se si duket me transformimet fizike që sjell shtatzënia. Ne urojmë që gjithçka të shkojë mbarë për të dhe beben që do të sjellë në jetë.





