TIRANE, 13 prill 2013 – Një grup personash, të cilët dyshohen se kanë qenë punonjës policie, kanë ndërmarrë një sulm fizik në ambientet e burgut të sigurisë së lartë ndaj Alfred Shkurtit, të dënuarit me burgim të përjetshëm, i njohur me nofkën “Aldo Bare”.

“Po, lajmi është i vërtetë. Është sulmuar nga një grup punonjësish policie. Klienti im, mbase nuk e dini, është një person krejtësisht i izoluar në ato ambiente burgu. Me sa duket nuk mjafton që është i sigurisë së lartë, pa e kanë izoluar në mënyrë siç kanë izoluar atë. Është rrahur dhe kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes së tij”, shprehet për Shekullin avokati Isuf Shehu.

Ai shton më tej: “Po, po, në burg, brenda ambienteve të qelisë. Ju e dini besoj se ai është në Korçë, vuan dënimin me burg të përjetshëm. I kanë hyrë në dhomë gjasme për kontroll rutinë. I kanë vënë prangat dhe më pas e kanë dhunuar. Më tha se i kishin futur thonjtë në fyt dhe e kishin mbajtur në ajër. Kanë ushtruar dhunë dhe më pas e kanë kërcënuar se do të vrisnin atë dhe familjen e tij. Më tha se nuk njihte asnjë nga personat që kanë hyrë brenda dhe e kanë dhunuar, por më tregoi se kishin qenë të veshur me uniforma policie. I bie që të mos kenë qenë punonjës së policisë së burgjeve që janë efektivë pranë atij vend-vuajtje dënimi të sigurisë së lartë”.

Avokati Shehu shprehet se fillimisht nuk i ka besuar klientit të tij teksa i ka thënë se më kanë akuzuar se pse flisja në telefon me Edi Ramën.

“Po, fillimisht nuk ia besova, pasi ai nuk ka jo telefon që s’bëhet fjalë, por ai nuk ka televizor, as frigorifer. Por kur pashë ministrin Flamur Noka të thoshte në një debat televiziv se Edi Rama komunikon me Aldo Baren në burg me telefon, atëherë e besova. Atëherë vendosa dhe të flas për të, pasi është e rëndë. Jo vetëm që është një fakt krejtësisht i papërdorshëm për një ministër, i cili mbase harron që atë post e ka politik, por nëse do të ishte e vërtetë, duhej të hetohej dhe jo të dhunohej. Nëse do të dilte drejtori i policisë, apo ndonjë prokuror, apo ndonjë funksionar që merret drejtpërdrejt me këtë çështje, OK, por të flasë ministri, është e çuditshme”, nënvizon ai.

Avokati shprehet se ndaj Aldo Bares janë ndërmarrë akte edhe më barbare deri tek helmimi i tij, mirëpo nuk provohen dot pasi procesverbalet aty i mbajnë ata që i fusin për t’i rrahur.