Koha shtesë rezultoi fatale për dy ekipet shqiptare në kompeticionet europiane. Pas barazimeve në kohën e rregullt, Dinamo dhe Egnatia pësuan golat vendimtarë në shtesë, duke humbur përkatësisht ndeshjet e tyre.

Egnatia, kampione e Shqipërisë, barazoi 1-1 në transfertë ndaj Lilestromit në Norvegji, në sfidën e play-off-it të Europa League. Por në minutën e 94-t në pjesën e parë të shtesave, Olsen përmbysi rezultatin, duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës norvegjeze.

Pavarësisht eliminimit nga Europa League, Egnatia vijon rrugëtimin në kompeticionet europiane, pasi do të luajë në fazën e grupeve të Conference League.

Ndërkohë, Dinamo e mbylli aventurën europiane pas humbjes 4-2 pas kohës shtesë ndaj Pafosit në Limasol. Koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2, ndërsa vendasit shënuan dy gola në shtesë.

Në minutën e 116-të, Ngamaleu realizoi për Pafosin pas zhvillimit të një goditjeje këndi. Lojtarët e Dinamos protestuan për një prekje të topit me dorë nga David Luiz, por gjyqtari konfirmoi golin.

Katër minuta më vonë, në minutën e 120-të, vendasit realizuan edhe golin e katërt me Anderson, duke vulosur eliminimin e Dinamos.

Kështu, Egnatia vijon aventurën europiane në Conference League, ndërsa Dinamo i jep fund rrugëtimit në Europë.