TIRANE, 13 prill 2013 – Që me marrjen e postit të nënkryetares së Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Greta Koçi u angazhua seriozisht për të dhënë më të mirën e saj në skenën politike. Dhe në fakt, nëse do t’u referohemi anëtarësimeve të reja në forumin rinor pas angazhimit të saj në strukturat drejtuese, shifrat janë vërtet mbresëlënëse.
Greta u përkushtua shumë dhe ndërmori një tur të gjatë takimesh nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë, ku njohu nga afër të gjithë të rinjtë demokratë. Për hir të angazhimit politik ajo hoqi dorë edhe nga jeta artistike dhe nuk mungoi në asnjë aktivitet të Partisë Demokratike, madje në një pjesë të tyre, truri drejtues ishte pikërisht ajo. Së fundmi këngëtarja e njohur është emëruar drejtoreshë e Marrëveshjeve në Ministrinë e Brendshme… Mësohet se që në ditët e para të punës Greta ka nënshkruar një marrëveshje shumë të rëndësishme për institucionin ku punon.
Burime pranë Ministrisë së Brendshme na bëjnë me dije se Greta po shfaq përkushtim të madh edhe në këtë detyrë të re. Kohët e fundit, emri i saj është përfolur si një kandidaturë e mundshme e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 qershorit.





