Në vitin 2009 rezultonin në formën e "stokut" mbi 190 mijë tonë municione të bartura si prodhime ruse, kineze apo "made in Albania"

TIRANE, 13 prill 2013 – Në Shqipëri organizatat për pastrimin e territoreve nga minat bashkëpunojnë me partnerë rajonalë, për shkëmbim informacioni dhe ekspertize si dhe për hartimin e projekteve të përbashkëta me mbështetjen e UNDP, BE, SHBA, shkruan gazetari i njohur i DW, Arben Muka.

Shqipëria ka pasur dëme të mëdha nga shpërthimi i minave dhe municioneve të mbetura në territoret e banuara.

Vetëm në kohën e luftës së Kosovës, u infektua nga ushtria serbe me mina dhe municion thërrmues një territor prej rreth 120 km përgjatë vijës kufitare Shqipëri-Kosovë.

Bilanci nga shpërthimet ishte tragjik për komunitetin, 34 të vdekur dhe rreth 240 mbetën të lënduar dhe gjymtuar.

Nuk ishte vetëm pasiguria për jetën që i goditi anëtarët e komunitetit. Mospërdorimi i tokës bujqësore dhe i burimeve natyrore dhe rrezikimi i mbajtjes së bagëtive ndikuan më shumë në varfërinë e pjesës verilindore të Shqipërisë, në shtimin e problemeve sociale dhe ekonomike.

Autoritetet në Shqipëri me mbështetjen edhe nga partnerët ndërkombëtarë u përfshinë në harkun e një dekade në procesin e pastrimit të këtyre zonave nga kontaminimi me mina dhe municion tjetër i pashpërthyer, si një rrezik potencial për banorët dhe mjedisin përreth.

Një nga aktorët kryesorë që ka luajtur rol kryesor në këtë angazhim është edhe Zyra e Veprimit ndaj Minave dhe Municioneve, ZVMM, një organizatë joqeveritare e themeluar nga viti 1999.

Arben Braha, drejtor i ZVMM-së i referohet një vlerësimi ndërkombëtar që i është bërë territorit shqiptar në vitin 2009, ku rezultonin në formën e "stokut" të mbi 190 mijë tonë municione të bartura, si prodhime ruse, kineze apo "made in Albania". Sipas Brahës, ZVMM ka bërë më pas një vlerësim në disa aspekte të situatës, duke përcaktuar tregues teknikë, tregues të nevojave humanitare, për trajtimin shëndetësor e psikologjik të të dëmtuarve nga minat dhe municionet.

"Nëse në pjesën verilindore të vendit ne kemi një numër rreth 240 persona të lënduar dhe gjymtuar, duke e bërë këtë rivlerësim nevojash edhe për zonat e rrezikshme në shkallë vendi, numri i personave shtohet dhe me rreth 800 të tjerë. Këta janë nga ata që kanë dëmtime fizike e psikologjike nga më të ndryshmet.

Me mbështetjen dhe të qeverisë austriake dhe të një partneri nga ky vend, ne po shikojmë në mënyrë të detajuar situatën për 6 qarqe të vendit, për të evidentuar çdo nevojë njerëzore për të afruar asistencë”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/