KUKES, 13 prill 2013- Efektivët e drejtorisë së policisë së qarkut të Kukësit kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "Mëngjesi" përmes të cilit kanë prangosur dy shtetas të shpallur në kërkim, që nëntorin e vitit të shkuar.
Sipas informacioneve të marra nga policia, bëhet e ditur se bëhet fjalë për rrëmbyesit e një vajze 25-vjeçare me iniciale S.C, ngjarje e ndodhur në një fshat të rrethit të Kukësit.
Bëhet fjalë për dy shtetas përkatësisht 27 dhe 30 vjeç, të cilët akuzohen se kanë rrëmbyer e më pas mbajtur peng të renë e cila, pas ikjes nga tri të rinjtë, njëri prej të cilëve është prangosur që në momentet e para të ngjarjes, ka bërë edhe denoncimin në polici.
Tashmë, tre të rinjtë, pritet që të ndiqen penalisht për akuzat e rrëmbimit dhe mbajtjes peng të vajzës 25-vjeçare dhe çështja e tyre do të ndiqet nga ekspertë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.





