GJIROKASTËR, 13 prill 2013- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në fshatin Vodhimë të komunës Dropull i Sipërm.
Dy persona kanë tentuar me dhunë të grabisin një banesë, në të cilën jetonin dy të moshuar, burrë e grua.
Dy grabitësit pasi janë futur në banesë kanë hasur në rezistencën e pronarit të shtëpisë, Pandeli Magllara, 76 vjeç. Në përleshje e sipër 76-vjeçari është rrëzuar duke gjetur vdekjes, pasi i është përplasur koka në tokë.
Grabitësit më pas janë përleshur edhe me bashkëshorten e 76-vjeçarit, Evanthi Magllara, e cila ka marrë disa plagë në kokë dhe është dërguar me urgjencë për në spitalin e qytetit.
Sipas policisë dyshohet se grabitësit janë dy të rinj nga Tepelena, të cilët më parë kanë punuar në atë zonë.
Policia ka ngritur disa postblloqe në pika kyçe, gjithashtu janë zhvilluar 5 kontrolle banesash dhe po shoqërohen nga patrullat e përgjithshme 6 shtetas për tu marrë në pyetje, 4 nga Tepelena dhe dy nga Libohova.
Në ndihmë të ekspertëve të policisë së Gjirokastrës është nisur edhe një grup ekspertësh nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.





