TIRANË, 12 prill 2013 – Debati i reklamuar me pompozitet nga kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, serbi Vuk Jeremiç, ku shtetet e botës do të flisnin për rolin e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi u bojkotua nga disa organizata e vende të rëndësishme, si dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, por jo nga Shqipëria.
Debatin në Asamblenë e Përgjithshme me temë “Roli i drejtësisë ndërkombëtare dhe pajtueshmëria midis popujve,” Jeremiç-i i ka dhënë nderin ta hapë presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç.
Sipas Jeremiçit pjesëmarrjen e konfirmuan rreth 80 vende, përfshirë Shqipërinë, nga gjithsej 193 anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Analistë dhe diplomatë në Kombet e Bashkuara e kanë vlerësuar gjithë këtë debat si një përpjekje të Jeremicit për të minimizuar krimet që kanë kryer serbët në Ballkan në vitet 1990.
Organizata boshnjake për të drejtat e njeriut Nënat e Srebrenicës ka kërkuar të flasë në debat mirëpo kjo nuk i është lejuar.
Pjesëmarrjen në debat e kanë refuzuar apo bojkotuar shumë organizata me peshë për të drejtat e njeriut si dhe presidenti i Gjykatës mbi krimet luftës në ish-Jugosllavi, Theodor Meron.
Në një takim në Washington, Meron deklaroi se Gjykata në Hagë ka refuzuar ftesën e Jeremiçit sepse ai e ka thirrur këtë debat si ‘reagim ndaj disa vendimeve gjyqësore të Gjykatës në Hagë,’ siç janë shpallja e pafajësisë ndaj të akuzuarve nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova.
Bie në sy se Shqipëria pati si pjesëmarrës në debat përfaqësuesin e përhershëm në Kombet e Bashkuara Ferit Hoxha, i famshëm për hartimin e marrëveshjes për faljen nga Shqipëria të 300 kilometra katrorë det në favor të Greqisë.
Për të përligjur kundërvënien ndaj SHBA-së dhe shpërfilljen ndaj Kosovës, Ferit Hoxha tha se Tirana dënonte “në tërësi mënyrën se si është ndërtuar ky debat”.
Sipas Hoxhës, “ne shprehim rezerva të forta për motivet e tij reale, të cilat, siç është deklaruar gjerësisht e në mënyrë të hapur nga vetë Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme, kudo ku ka pasur mundësi të shprehet, kanë për qëllim të veçojnë një gjykatë të veçantë, atë të Hagës, me një synim të deklaruar për të përdorur këtë aktivitet, si dhe vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të denigruar punën e kësaj gjykate dhe trashëgiminë e saj dhe për të vënë në pikëpyetje politikisht vendimet e saj”.
Dhe më paradoksalja në fjalimin e Hoxhës është konstatimi se “vështirë të gjesh tjetër aktivitet të ngjashëm të OKB-së, të organizuar në fshehtësi të tillë dhe me një mungesë totale të transparencës. Lista e ftuarve, e panjohur për OKB-në deri në ditën e fundit, është absolutisht e diskutueshme, por për fat të keq, zëri i viktimave, ata për të cilët kërkohet të bëhet drejtësia, është përjashtuar”.
Atëherë pse Shqipëria nuk iu bashkua SHBA-së, Kanadasë dhe Jordanisë në bojkotimin, kanë shprehur shqetësimin qarqe diplomatike në Tiranë dhe Prishtinë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





