TIRANE, 12 prill 2013 – Në fjalën e tij ne konventen e PD per Shqiperine rurale, kryeministri Berisha shprehu nderimin e tij më të thellë për cdo fermer shqiptar, për punën e tyre të palodhur, nga e cila sic tha ai ne përfitojmë në cdo vakt.
“Unë nga kjo tribunë dua të përulem me nderimin më të madh pas secilin fermer shqiptar, të shpreh respektin dhe dashurinë, mirënjohjen e pakufishme ndaj tyre. Ne kemi bërë për ta, por ju duhet ta dini se shumë herë më e madhe është dashuria e fermerit shqiptar për familjen e tij, për kopshtin, arën, lopën, derrat e delet, për ullinjtë, për gjithçka që ai prodhon për familjen dhe shoqërinë shqiptare. I garantoj ata se ne jemi krenarë me ta. Janë ata që me këtë dashuri krijojnë të mirat që gëzojmë ne në cdo vakt, në cdo rast. Fermerët janë qytetarë që jetojnë vështirësi të mëdha, ata të ngjallin respektin më të thellë, kur ne vazhdojmë gjumin e mëngjesit ata zgjohen pa gdhirë, puna për ta s’mbaron kurrë, nga lopa kalon tek kopshti, më pas në arë. Ne iu detyrohemi atyre shumë më tepër nga sa kemi bërë”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se, “Ne kemi shumë për të bërë, do bëjmë gjithçka për t’i shpërblyer me ato meritojnë, atë që bëjnë për shoqërinë tonë. Mos harroni se në fytyrat e tyre shfaqen rrudhat dhe kërrusja për shkak të mundimit, por rrudhat janë vula e zotit për punën e tyre të bekuar. Këto kohë kemi hartuar programin e 4 viteve që vijnë me ekspertë, specialistë e akademikë të shkëlqyer. Por jemi konsultuar edhe me fermerët të cilët na dhanë mendimet më të vyera për mandatin e ardhshëm”, tha ai.
Kryeministri e cilësoi fermerin kujdestarin e zotit që qëndis tokën, kodrat e fushat, ndërsa premtoi se qeveria e tij do bëjë cdo gjë që fshati t’i ngjajë sa më shumë qytetit. Për Berishën mandati i ri do jetë i rrugëve të pashtruara, energjisë e ujësjellësve.
“Do bëjmë gjithçka që cdo fshat të ketë infrastrukturën e lagjeve në qytet. Pak vite më parë ata përjetonin errësirat e zgjatura, ne i ndaluam ato, garantuam furnizimin me energji, ata janë zhvilluar aq shumë sa drita që ju cojmë ne është e zbehtë. Jam këtu për tu zotuar se 4 vitet që vijnë cdo fshat shqiptar do llamburitë nga dritat njësoj si lagjet e qyteteve tona. Ne kemi ndërtuar 8 mijë km rrugë. Unë dua t’i garatoj fermerët se tapetet e kuqe ku kaloj s’do më bëjnë të mos shoh gropat pranë tyre për të asfaltuar cdo km rrugë të mbetur, mandati i ardhshëm garanton përfundimin e infrastrukturës moderne, vrapi im s’do ndalet kurrë deri sa fëmijët e tyre të ulen në të njëjtat shkolla si fëmijët e qytetit, vrapi s’do ndalet kurrë deri sa të garantojmë ujë të rrjedhshëm për cdo fshat. Sukseset nuk na pengojnë të shohim vështirësitë”, tha ai më tej.
“Ne qëndrojmë të vendosur të bëjmë gjithçka që në 4 vitet që vijnë të shumëfishojmë prodhimin në tokën shqiptare”, tha ai.
Kryeministri Berisha theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij për të vijuar mbështetjen për fermerët përmes trefishimit të granteve.
“Zotimi është solemn se do të financojmë, do të nxisim prodhimin në çdo fushë, në çdo fshat, në çdo rreth në mbarë Shqipërinë. Ne jemi të vendosur katër vitet që vijnë të bëjmë shumë më tepër për fermerët shqiptarë për Shqipërinë rurale, përpara përpara, përpara.”-përfundoi kryeministri.





