TIRANË, 12 prill 2013 – Shqipëria nuk ka thyer embargon ndaj Libisë, ka deklaruar më 12 prill 2013 sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Edvin Kulluri, duke mos iu referuar medieve amerikane, por opozitës.

Ministria e Mbrojtjes tha se “kontrata për eksport municioni në fjalë është realizuar me një vend mik dhe Forcat e tij të Armatosura, që sipas raportit të panelit të ekspertëve të Këshillit të Sigurisë të OKB, janë pronar dhe përdorues të fundit ligjorë. Ministria e Mbrojtjes disponon të gjithë informacionin ligjor, të cilin ia ka vënë në dispozicion dhe panelit të ekspertëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

Kulluri shtoi se “Organizata e Kombeve të Bashkuara ka nisur një hetim për këtë sasi prej 800.000 fishekësh 12.7 mm, të cilat janë gjetur në destinacione të tjera. Gjithnjë sipas raportit të panelit të ekspertëve, kjo sasi municioni ka shkuar në mbështetje të forcave rebele anti-Gadafi”.

/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/