TIRANE, 12 prill 2013 – Kombëtarja shqiptare e futbollit ka bërë një kapërcim rekord historik në renditjen e FIFA-s, duke ngjitur plot 16 shkallë njëherësh për muajin e fundit (prill), por edhe duke u pozicionuar në vendin e 48-të, që është arritja më e madhe e kuqezinjve tanë në këtë drejtim.

Dy fitoret e fundit radhazi, 1-0 të kualifikueses me Norvegjinë në Oslo dhe 4-1 të miqësores me Lituaninë në Tiranë, kanë mundësuar këtë arritje mbresëlënëse, që gëzon tërë shqiptarët, kudo ata janë.

Meritat i shkojnë pa diskutim edhe trajnerit De Biazi, nën drejtimin e të cilit Kombëtarja jonë renditet në vendin e dytë të Grupit E kualifikues për momentin.

Muajin e kaluar renditeshim në vendin e 64-t të FIFA-s, edhe ky një pozicion tejet pozitiv, por tashmë me 596 pikë të grumbulluara kuqezinjtë tanë fiksojnë një pozicion historik. Kemi lënë pas vetes edhe Slloveninë e grupit tonë eliminator, finaliste në Europiane dhe Botërorë të ndryshëm, që pozicionohet e 55-ta për muajin prill, ndërsa përpara kemi vetëm Zvicrën e vendit të 15-të dhe Norvegjinë e vendit të 30-të.

Humbja ndaj nesh i ka shkaktuar zbritjen me një pozicion skuadrës norvegjeze. Ndërkohë, dhjetëshja e parë e kësaj renditjeje përbëhet nga emra të mëdhenj, me Spanjën në vend të parë, të ndjekur nga Gjermania dhe Argjentina. Më tej, renditja vazhdon me Kroacinë, Portugalinë, Kolumbinë, Anglinë, Italinë, Holandën dhe Ekuadorin.

Renditja
1. Spanja
2. Gjermania
3. Argjentina
4. Kroacia
5. Portugalia
6. Kolumbia
7. Anglia
8. Italia
9. Holanda
10.
Ekuadori
….
15. Zvicra
….
30. Norvegjia
….
48 Shqipëria
….
55. Sllovenia
….
73. Islanda
….
123. Qipro