BERAT, 12 prill 2013-  “Anëtari i LSI në KQZ mund të vijojë punën”. Deklarata vjen nga kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth. 

Pavarësisht se Komisioni i Ligjeve miratoi lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho ambasadori Wollfarth nga qyteti i Beratit ka vlerësuar se ende jemi në procesin e sqarimit të bazës ligjore mbi të cilën është ngritur kërkesa e PD-së, ndërkohë që ditën e hënë Kuvendi do të shqyrtojë cështjen. Wollfarth ka rikujtuar edhe një herë që KQZ duhet të jetë një institucion apolitik.

“Nga njëra anë kemi vendimin e Komisionit që propozoi shkarkimin e anëtarit të LSI nga KQZ. Interpretimet janë të ndryshme, ky anëtar mund të vazhdojë punën e tij në KQZ. Jemi në procesin e sqarimit të bazës ligjore, të hënën Kuvendi do të rishqyrtojë çështjen. Nuk duhet harruar që KQZ është një komision apolitik dhe teknik” theksoi ambasadori Wollfarth. 

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ambasadori i OSBE-së Wollfarth vlerëson se duhet të ketë dialog të hapur mes partive politike. 

Ambasadori i OSBE-së duke iu përgjigjur interesit të medias, u shpreh se përgatitjet zgjedhore kanë shkuar mirë tani, teksa vuri në pah punë e bërë me listat si dhe me vendet ku do të hapen qendrat e votimit. Wollfarth nënvizoi se politikanët duhet ti bëjnë të qarta programet e tyre dhe të tregojnë se si do i realizojnë premtimet. 

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, zhvilloi të premten një takim me Prefektin e Beratit, Bujar Hoxhaj dhe përfaqësues të "Berat Albanian Excellence 2013".