KAVAJE, 12 prill 2013– Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Kavajës, pasi akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur. Ngjarja ka ndodhur dy muaj më parë dhe ka vazhduar të përsëritet herë pas here përgjatë kësaj periudhe nga ana e të arrestuarit. Burime nga Policia e Tiranës thanë se është kryer arrestimi i shtetasit Xhaferr Reçi, 20 vjeç, banues në fshatit Bogo të Kavajës, me akuzën “marrëdhënie seksuale me të mitura”.

Burimet thanë se akuza për të cilën është arrestuar i riu është paraprake, pasi ende nuk është provuar nëse ai ka ushtruar presion apo dhunë ndaj vajzës 13 vjeçe. Ngjarja është zbuluar vetëm pak ditë më parë, më datë 4 prill, kur babai i së miturës, shtetasi Ismet E., ka bërë kallëzim në Komisariatin e Kavajës, se i ishte larguar nga shtëpia vajza 13 vjeçe, E.E. Duke qenë se në kallëzim edhe babai i vajzës kishte dyshime te fqinji i tij, pasi e kishte parë disa herë që fliste në fshat me të bijën, i ka orientuar edhe forcat e policisë se ku mund ta gjenin. E mitura, nxënëse në klasën e shtatë, është gjetur pikërisht në banesën e të arrestuarit Xhaferr Reçi.

Menjëherë janë shoqëruar në Polici edhe djali, edhe vajza për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje në prezencën e një psikologeje dhe të nënës së saj, 13-vjeçarja ka treguar se ishte larguar me dëshirë nga shtëpia. Por, gjatë rrëfimit të saj ajo është shprehur se para dy muajsh ka kryer marrëdhënie seksuale me shtetasin Xhaferr Reçi dhe sipas saj, ky veprim është kryer jashtë dëshirës së vet, pasi autori ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike.

Më pas e ka kërcënuar herë pas here në mënyrë që të mos i tregonte familjes për atë që kishte ndodhur. Sipas saj, ky nuk ka qenë momenti i vetëm që 20-vjeçari ka kryer këtë veprim me të, pasi është përsëritur herë pas here përgjatë dy muajve. Por, për shkak se veprimi i dhunshëm, siç ka shpjeguar e dëmtuara, ka ndodhur 2 muaj më parë, ndërsa rastet e tjera nuk kanë pasur të njëjtën dhunë, kjo nuk është provuar ende nga grupi hetimor. Vajza do t’i nënshtrohet një ekzaminimi nga mjekët ligjorë, për përgatitjen e një raporti të detajuar në lidhje me abuzimin seksual.