TIRANË, 12 prill 2013- Kreu i PS-së, Edi Rama akuzoi kryeministrin e vendit Sali Berisha se po e përjeton keq largimin nga pushtetit ndaj për këtë arsye tenton të shkatërrojë KQZ.
Gjatë një konference për shtyp, Rama deklaroi se asnjëherë në 8 vjet thirrjet e ndërkombëtarët nuk kanë qenë të drejtëpërdrejta për shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, teksa refuzoi kategorikisht një marrëveshje me kryeministrin Berisha për KQZ.
“Asnjëherë në këta 8 vjet të shkeljes kushtetuese dhe ligjore nga kryeministri në ikje deklaratat e partnerëve të madhej të Shqipërisë nuk kanë qenë të drejtëpërdrejta pasi asnjëherë më parë shkelja e Kushtetutës dhe ligjit nuk ka qenë më e hapur, për të zëvendësuar forcërisht anëtarin e KQZ. Kryeministri në ikje po e përjeton keq verën e një ikje të madhe ku do mbetet fillikat pa asnjë aleat përballë furisë popullore që do e largojë me votë. Në panikun e kësaj vetmie sa të madhe Saliu shkatërron institucionin e zgjedhjeve duke zgjedhur rrugën që turpëron cdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë që do e ndjekë qorrasi krtë shëmbëlltyre të stërplakur dhe turpëron Shqipërinë në sytë e botës. Kjo marrëzi e dhunshme nuk e komprementon fitoren e koalicionit tonë, pasi ne do e fitojmë aq thellë saqë edhe po ti numëroi votat në shtëpi, do jetë e pashmangshme”, deklaroi Rama.
"Në asnjë rast nuk do hymë në ndryshime të KQZ, në cënim të kodit zgjedhor, ndaj i bëjmë thirrje Berishës që të ikë me nder nga pushteti, dhe kontributi për rotacion paqësor dhe të pashmangshëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme", theksoi Rama, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë ftesës që kryeministri Berisha i bëri pak ditë më parë.
Kryesocialisti Rama theksoi se anëtarët e KQZ, kur marrin mandatin zhvishen nga funksioni politik që kanë teksa shtoi se LSI nuk ka asnjë funksion mbi anëtarin e saj në KQZ që PD tenton ta largojë.
“Anëtarët e KQZ-së, në momentin kur marrin mandatin nuk kanë më varësi nga Parlamenti apo partitë që i propozojnë. Anëtari është shërbëtor i Kushtetutës, Ligjit dhe zgjedhësve dhe jo i partisë që e ka propozuar", theksoi Rama.





