DURRES, 12 prill 2013- Violinisti i njohur shqiptar, Florian Vlashi, ka qenë këto ditë mysafir në Universitetin e Bukureshtit, ku është organizuar koncerti i tij recital i titulluar "Violinisti i gjelbër". Në sallën "George Enesku" publiku pati mundësinë të shijonte një sërë veprash të përzgjedhura nga violinisti durrsak, që jeton dhe punon në Korunja (Spanjë).
Koncerti ishte frymëzuar nga tabloja e famshme "Violinisti i gjelbër" e piktorit Mark Shagal, lindur në Bjellorusi dhe natyralizuar në Francë. Ndërkaq solisti i shfaqjes ishte kujdesur për projektimin në një ekran të vogël të mjaft punimeve të piktorit surealist, të cilat i kushtohen kryesisht violinës.
Programi nisi pikërisht me pjesën kushtuar tablosë "Violinisti i gjelbër", shkruar nga kompozitori Jose Luis Turina, për të vijuar më pas më veprën e Moris Ravelit "Kadish".
Mjaft interes ngjalli interpretimi i veprave kushtuar Paganinit nga Shnitke dhe "Solo – Solissimo" nga Karmela Tsepolenko.
Bashkë me veprat e autorëve të huaj të përzgjedhur në programin e Florian Vlashit nuk mungoi edhe këtë herë një autor shqiptar. Violinisti 50-vjeçar interpretoi në premierë botërore pjesën e kompozitorit Çezar Aliaj "Lesang l’irise, le coeur tinte".
Muzikologu rumun Marcel Frandesh, në një reçencë të gjatë në një nga portalet e njohur të artit, kushtuar artistit shqiptar në Bukuresht, shkruan se në koncertin e violinistit Vlashi u dëgjuan vepra të rralla për publikun rumun. Vlashi dëshmoi një violinistikë të nivelit të lartë, një larmi ngjyrash që merr shkas nga mishërimi i domethënieve muzikore në lëvizje instrumentale. Të interpretosh solo në një mbrëmje të tërë është kolosale – shkruan më tej kritiku rumun Frandesh.
Florian Vlashi është formuar në shkollën artistike "Jan Kukuzeli" në Durrës dhe Akademinë e Arteve në Tiranë. Pas një përvoje pune si drejtues i formacioneve instrumentale në Durrës, violinisti Florian Vlashi u zhvendos në La Korunja, ku që prej 21 vjetësh është pjestar i Orkestrës Sinfonike të Galicisë. Në vitin 1996 ai formon ansamblin instrumental "Shekulli XX". Florian Vlashi organizon çdo dy vjet në Durrës festivalin "Netët e muzikës klasike", që ka arritur në edicionin e tij të 6-të.





