TIRANE, 11 prill 2013 – Prokuroria e Përgjithshme vlerëson miratimin në parlament të vendimit për rritjen e pagës të prokurorëve dhe të punonjësve të sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, e cilëson nismën e ligjvënësve “një arritje të rëndësishme për përmirësimin e mëtejshëm të politikës penale në vendin tonë, si edhe një mundësi më të madhe për forcimin e integritetit moral dhe profesional të prokurorëve të të gjithë niveleve dhe oficerëve të policisë gjyqësore”.
Gjithashtu, për kryeprokurorin Llalla, rritja e pagave për sistemin e drejtësisë është një mbështetje më e madhe që pushteti legjislativ i ofron pushtetit gjyqësor për luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri.





