ITALI, 11 prill 2013 – Carlo Cosco, pasi vrau ish partneren e tij Lea Garofalo, donte të vriste edhe bijën e tyre, Denise, sepse pas vrasjes së nënës vajza e re po bashkëpunonte me policinë.

Kështu ka dëshmuar në gjykatën e Apelit të Milanos i penduari Carmine Venturino, i cili nuk ka nguruar të rrëfejë detaje mbi vdekjen e bashkëpunëtores së drejtësisë.

“Ndërsa trupi i saj digjej ne thyenim eshtrat e saj me një lopatë”,- ka rrëfyer Venturino.

Carlo Cosco është një nga anëtarët e mafias italiane, Ndrangehta-s që i ka shtrirë degët e saj deri në veri të vendit. Vite më parë ai masakroi dhe vrau ish të dashurën e tij, me të cilën kishte edhe një vajzë, për shkak se ajo po bashkëpunonte me policinë dhe u kishte dhënë hetuesve të dhëna për mënyrën e funksionimit të grupit mafioz.

Pas vdekjes së nënës së saj, e bija Denise, dëshmoi në polici kundër të atit dhe anëtarëve të tjerë të grupit mafioz. Një ditë më parë Cosco deklaroi në gjykatë se ndihej i penduar që kiste vrarë të dashurën e tij dhe nënën e së bijës, por sipas prokurorëve të çështjes kjo mund të jetë një tentativë e tij për të gënjyer të bijën dhe për ta shtyrë atë të tërheqë dëshmitë.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/