BRUKSEL, 11 prill 2013 – Gjermania ka disa muaj që po ngul këmbë për pezullimin e lëvizjes së lirë pa viza në vendet e Shengenit për qytetarët e Serbisë dhe të Maqedonisë dhe tani po merr edhe mbështetjen e BE-së për këtë.

Shtetet e BE-së së shpejti mund të kërkojnë përsëri viza për qytetarët që vijnë nga vendet e Ballkanit. Komisioni përgjegjës i Parlamentit Evropian votoi në Bruksel pro idesë që vendet e BE-së mund ta pezullojnë për një kohë të kufizuar të drejtën e udhëtimit pa viza për qytetarët e vendeve të caktuara që nuk janë anëtare të BE-së, p.sh. Serbia apo Maqedonia.

Për shkak të rritjes së numrit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit komunat gjermane kanë kërkuar rifutjen e detyrimit të vizave dhe përshpejtimin e procedurave të azilit. Vetëm në janar të këtij viti në Gjermani kërkuan azil 7.000 vetë. Kjo qe një rritje me rreth 50 për qind më shumë se muajin e kaluar dhe rreth 60 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich kërkoi për këtë shkak një ndryshim të rregullit për vizat në nivelin e BE-së.