DURRES, 11 prill 2013 – Blutë e policisë së Durrësit sapo kanë bërë të mundur kapjen e një personi të kërkuar për disa vepra penale midis të cilave vjedhje dhe tentative per kryerje te marrëdhënieve seksuale me dhune me nje turiste çeke.
Gjatë një aksioni të policisë në Sektorin Rinia u be e mundur kapja e shtetasit Rrahman Domi, 18 vjeç, banues në fshatin Radomir Dibër. Ky shtetas është i akuzuar disa herë për vjedhje të natyrave të ndryshme.
Sipas policisë së Durrësit ky shtetas është shpallur në kërkim nga Drejtoria e Policisë Qarkut Dibër për arsye se:
-Prokuroria e Rrethit Dibër, më datë 06.03.2013 ka lëshuar ndaj tij urdhër ndalimi për veprën penale të vjedhjes.
-Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendim penal datë 27.03.2013 ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga "Detyrim paraqitje" në "Arrest ne burg" për këtë shtetas për veprat penale "Vjedhje me dhunë në bashkëpunim" dhe "Marrëdhenie seksuale me të rritura me dhunë në bashkëpunim e mbetur në tentativë".
Me datë 29.07.2011, ky shtetas në bashkëpunim edhe me 2 persona të tjerë, në vendin e quajtur "Fusha e Korabit" në Kalanë e Dodës, kanë vjedhur me dhunë katër shtetas me kombësi çeke të cilëve u kanë marrë sendet personale si dhe kanë tentuar të perdhunojnë një nga shtetaset çeke të grupit.
Shtetasi në fjalë do t’i dorëzohet për veprime të mëtejshme proceduriale e hetimore shërbimeve të Drejtorisë Policisë Qarkut Dibër.





