TIRANE, 11 prill 2013- Partia Socialiste fton LDK-në në koalicion. Lajmi konfirmohet nga kreu i LDK-së Nikoll Lesi, i cili pas takimit me kryesocialistin Rama në selinë rozë tha se është ftuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama për të qënë pjesë e koalicionit opozitar në zgjedhjet e ardhshme.
Lajmi u bë i ditur nga vetë z. Lesi, pas një takimi që ky i fundit zhvilloi mesditën e sotme në selinë e PS-së me kryesocialistin Rama.
"Kam një ftesë nga kryetari i PS-së, Edi Rama, të cilën do ta shqyrtoj me kryesinë e LDK-së dhe me miqtë e mi. Oferta është dashamirëse nga kryetari i PS-së dhe ajo do të detajohet në vijim, nëse do të biem dakord. Jam korrekt me mikun tim(Ramën), me të cilin biseduam disa gjëra të kohëve të vjetra, që i shërbejnë një të ardhmeje të re", tha Lesi.
Zhvillimet e fundit në KQZ, pas lirimit nga detyra të anëtarit të LSI-së, Lesi i komentoi shkurt si "joserioze".





