DURRES, 11 prill 2013– Këtë vit pritet të vizitojnë zonat bregdetare të Qarkut të Durrësit përgjatë këtij sezoni veror, afro 3.5 milion turistë.
Por, për të arritur këto statistika, kryetari i këshillit të qarkut Armand Teliti, në një takim me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe operatorët turistikë, kërkoi më shumë bashkëpunim në drejtim të përmirësimit të paketës turistike.
Ai tha se duhet të shpërndajmë mesazhe të qarta për turistët që do të vijnë në Durrës dhe t'i presim ata më mirë se herët e tjera.
Drejtoresha e shoqatës shqiptare të turizmit Matilda Naco ka thënë se Shqipëria tashmë konsiderohet si destinacion turistik, por duhet akoma më shumë punë në drejtim të pritjes së turistëve që zgjedhin vendin tonë për të kaluar pushimet verore.
Sektori i turizmit vazhdon të jetë gjeneruesi kryesor i të ardhurave në shkallë vendi duke kapur 14.7 përqind të produktit të përgjithshëm bruto si dhe 43 përqind të totalit të eksporteve.
Në Qarkun e Durrësit, sektori i turizmit përgjatë vitit të kaluar ka hapur 1300 biznese të reja me 4500 vende pune, duke rritur me 15 % më shumë se vitin e kaluar, të ardhurat në këtë drejtim.
Takimi i zhvilluar në Durrës është mundësuar në kuadër të projektit STAR, pjesë e të cilit është edhe Qarku i Durrësit me synimin për të shkëmbyer informacion turistik për gjithë zonën e Adriatikut.
/e.a. Agjencia Lajmeve "Durrah"/





