TIRANË, 11 prill 2013– Kuvendi i Shqipërisë shtyu për ditën e hënë votimin për kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane, Klement Zguri ose Patriot Çoba. 

Që në minutën e parë të nisjes me vonesë të seancës parlamentare, Topalli vendosi shtyrjen e votimit për anëtarin e ri te KQZ. Vendimi është marrë në konferencën e kryetarëve pas kërkesës së kreut të grupit të PS, Gramoz Ruci.

Kërkesa e miratuar dje nga komisioni i Ligjeve është kundërshtuar ashpër dje dhe sot nga opozita, e cila e konsideroi një veprim antiligjor dhe goditje të rëndë për standardet demokratike. 

Ndërsa, për mazhorancën largimi i LSI-së nga koalicioni qeverisës sjell nevojën e balancimit të komisioneve zgjedhore. Sipas mazhorances, kalimi në opozitë i Lëvizjes Socialiste për Integrim prishi balancat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke vendosur raportin 4 me 3 në favor të komisionerëve opozitarë. Po ashtu, edhe komisionet zonale kontrollohen 4 me 3 dhe disa 5 me 2 po nga opozita. Po sipas maxhorancës, prishja e kësaj barazpeshe përmbys sistemin ligjor të menaxhimit të zgjedhjeve dhe paralajmëron manipulimin nga opozita. 

Kryeministri Berisha reagoi dje ndaj kësaj situate, duke deklaruar se aleanca PS-LSI kishte qëllim përmbysjen e ekuilibrave në KQZ. 

"Parim themelor i raporteve ka qenë dhe mbetet respektimi i marrëveshjeve. Është vendosur që KQZ do të jetë e balancuar, qeveria shumicë me raportin 4-3. Qëllimi i Ramës ishte përmbysja e maxhorancës në KQZ", deklaroi dje kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike. 

VOTIMI PËR ANËTARIN E KQZ SHTYHET PËR DITËN E HËNË

Kuvendi i Shqipërisë shtyu për ditën e hënë votimin për kërkesën e PD-së për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI, si dhe zëvendësimin e tij me një nga dy kandidaturat e paraqitura nga Partia Republikane, Klement Zguri ose Patriot Çoba. 

NACO: PO LARGOHEMI NGA EUROPA, NDËRKOBËTARËT NUK E LEJOJNË KËTË SHKELJE

Deputeti i LSI, Nasip Naco theksoi për Neës24 para nisjes së seancës parlamentare se ndërkombëtarët nuk do e lejojnë këtë shkelje që po i bëhet KQZ-së. 
“Do e votojnë edhe po gjetën 2 apo 3 deputetët t’a kalojnë këtë nismë, por ata duhet ta dinë që ndërkombëtarët nuk lejojnë shkeljen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Qëndrimi jonë do jetë qëndrim i një njeriu, të cilit i shkelen të drejtat në parlament. Por, njëkohësisht dhe për t’u dhënë shpresë shqiptarëve se shkeljet që bën kjo mazhorancë, janë rrezik real që i kanoset shqiptarëve dhe jo vetëm së majtës”. 

PDIU, DASHAMIR TAHIRI : “OK” PROPOZIMIT TË PD

Deputeti i PDIU-së Dashamir Tahiri bëri me dije se “do votojmë pro kandidatëve të PR për KQZ” që vjen pas lirimi të anëtarit të LSI-së nga ky komision. 

TAHIRI: PS MBRON INTEGRITETIN E KQZ DHE JO NDONJË PARTI

Deputeti socialist Sajmir Tahiri u shpreh sot se PS do të mbrojë sot në parlament legjitimitetin dhe kushtetueshmërinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Tahirit me cenimin që po i bëhet KQZ janë cenuar njëkohësisht dhe vlerat dhe morali i cdo shqiptari. 
“Do bëjmë gjithçka të mundur për ta ndalur dhe nuk përjashtojmë asnjë gjë. Këta njerëz që diskutojnë për moralin e shoqërinë si dhe vlerat më të mira shoqërore, këta janë të kërcënuar sa kohë është kërcënuar KQZ”. 

“Sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, u fol vetëm për të mbrojtur ligjshmërinë integritetin e KQZ, si një trup të vetëm, dhe as të mbrojë ndonjë parti. Sot u fol për të mbrojtur ligjshmërinë e kushtetueshmërinë e këtij institucioni”. 

DOGJANI: NËSE ANËTARI I KQZ DO I LIHEJ LSI PRISHET BALANCA

Ish-deputeti i PS-së Asllan Dogjani vlerëson se nëse anëtari i LSI nuk do të lirohej nga KQZ atëherë do prishej balanca në këtë institucion. 

“Sa i përket anëtarit të LSI, në kod është parashikuar qartë se mënyra si zgjidhen anëtarët e KQZ sa anëtar i takojnë mazhorancës sa i takojnë opozitës. Aktualisht kemi një rast që edhe ligjvënësit nuk e kanë parashikuar një moment të tillë, dhe nëse ky anëtar do i lihet LSI do prishen balancat” theksoi Dogjani. 

KQZ, DULE: MINË ME SAHAT PËR ZGJEDHJET

Kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule vlerëson se me lirmi i anëtarit të LSI nga KQZ është një veprim antiligjor dhe një minë me sahat për zgjedhjet parlamentare të qershorit 

“Situatat janë të thjeshta, kemi të bëjmë nga këndvështrimi politik me një non sens, nga nga juridike me nismë antiligjore, ndërsa në lidhe me procesin zgjedhor është minë me sahat që i vendoset tek ata që duhet të ishin më përgjegjshëm dhe që i bie përgjegjësia e mbajtjes së zgjedhjeve te 23 qershorit”, tha Dule gjate nje prononcimi per Neës24. 

Dule vlerësoi se zgjedhjet nuk duhet të përcaktohen nga komisionet dhe komisionerët, por nga sovrani që është populli. Kreu i PBDNJ-së bëri thirrje që tërhiqet vendimi arbitrar i Komisonit të Ligjeve. 

“Rezultati i zgjedhjeve nuk përcaktohet nga komisionet dhe komisionarët, por nga zgjedhësit dhe sovrani, por në këtë rast mbreti është lakuriq dhe manifestohet ai realitet hidhur që zgjedhjet nuk i përcakton sovrani, por militantët partiak në komisione. Ende nuk është vonë për tu distancuar nga kjo nisëm që u ndërmor në mënyrë arbitrare nga komisioni i ligjeve”, shtoi Dule. 

Dule ka paralajmëruar se PBDNJ javën që vjen do të marrë vendim në lidhje me koalicionin zgjedhor. 

“Të gjithë sigurisht që kanë të drejtën e tyre të hamendësojnë. PBDNJ në seriozitet ndaj vetes po debaton ne strukturat e veta, për alternativën më të mirë, për partinë që do na japë përparësi programit dhe prioriteteve të partisë, por mbi të gjitha edhe sistemit të vlerave që është elementi kryesor. Domosdoshmërisht java e ardhshme do jetë java e vendimeve përfundimtare”, tha Dule, i cili u tregua i kujdesshëm për emra.
Ilirjan Muho, anëtari i liruar në KQZ 

KQZ DEBATE, E MAJTA BRAKTIS MBLEDHJEN BLLOKOHEN PUNIMET, NUK KA KUORUM

KQZ u përfshi nga debatet në mbledhjen e sotme ku anëtarët e majtë bënë thirrje që politika të mbajë duart larg KQZ. Anëtarët e majtë lanë mbledhjen dhe e djathta nuk mundi të merrte vendim për vijimin e mbledhjes pasi mungonte kuorumi. 
Me këtë largim anëtarët e majtë bllokojnë punën në KQZ pasi nuk ka kuorum për të vijuar mbledhjen. Minimumi duhen 4 anëtarë për të vijuar mbledhjen, por pas largimit të anëtarëve të majtë, KQZ ka mbetur vetëm me 3 anëtarë. 

LSI, KOKA: SITUATË E TENSIONUAR, UROJ TË MOS NDODHË DICKA E PAPARASHIKUAR

Deputeti i LSI, Lefter Koka pak para nisjes së seancës parlamentare ka theksuar se me cështjen e zëvëndësimit të anëtarit të LSI në KQZ, situata politike është tensionuar tepër. Sipas Kokës, kjo nismë e PD është antikushtetuese, ndërsa akuzoi Berishën si iniciues të trazirave. 

“Ka lidhje dhe me cështjen e votave, por ajo që duhet të cilësoj është se zëvëndësimi po bëhet me kërkesë të PD, një veprim i paprecedent, i rrezikshëm që tensionon procesin zgjedhor, antikushtetues. Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar qartë kur bëhet zëvëndësimi i anëtarëve të KQZ. Kjo tregon se, nesër mazhoranca mund të ndërrojë gjithë anëtarët nëse do. Bëj thirrje që mazhoranca të bëjë zgjedhjet e duhura, të mos krijojë tensione artificiale. Aktualisht ka me spartive politike ka një gjendje tensioni shumë të lartë, partitë të tensionuara uroj të mos ndodhë dicka e paparashikuar. Unë besoj se respektimi i Kodit Zgjedhor është thelbësor dhe ligjvënësi duhet të respektojë KQZ. Unë besoj se është një fenomen tashmë i njohur. Sa kohë që kryeministri është në politkë nuk mendohet çdo ndodhë por cka në mendjen e tij. Ai gjithmonë ka krijuar trazira. 
Ne sot kërkojmë të respektohet e zbatohet ligji. Nëse sot jemi larguar nga mazhoranca me këtë që po bën PD i bie që edhe ne të kërkojmë rivotimin e presidentit, atë të prokurorit. Nuk rikthehemi dot për cdo vendim që kemi votuar. 
Do të uroja të kemi qetësinë e duhur që të shkojmë në zgjedhje pa presionet e duhura pas kalimit në minorancë”, tha Koka. 

META: NE KEMI SJELLJE PREJ DIVERSANTËSH JO PREJ POLITIKANËSH

Kreu i LSI, Ilir Meta i pyetur nga gazetarët jashtë dyerve të parlamentit rreth zëvëndësimit të anëtarit të LSI në KQZ vlerësoi se kjo sjellje e politikës është sjellje diversantësh. 
“Nuk ka lidhje me ligjshmerine dhe as me kushtetueshmerine. Ne kemi një sjellje prej diversantësh ne politike”. 

PS MBLEDH GRUPIN PARLAMENTAR: VOTË KUNDËR NISMËS SË PD

Në Partinë Socialiste u zhvillua një mbledhje blic e grupit parlamentar para nisjes së seancës parlamentare të sotme. Mbledhja mori ne shqyrtim pikerisht qendrimin qe do te mbaje grupi parlamentar ne seancen e sotme te Kuvendit.
PS vendosi në këtë mbledhje që të kundërshtojë vendimin e marrë nga Komisioni i Ligjeve një ditë më parë mbi zëvëndësimin e anëtarit të LSI në Komisionin e Zgjedhjeve. 

Komisioni i Ligjeve liroi dje nga detyra z Ilirian Muho, i propozuar nga LSI si anëtar në KQZ. Kërkesa e PD erdhi pas krijimit të koalicionit të PS me LSI.