ATHINE, 11 prill 2013– Parlamenti grek ka ratifikuar me shumicë votash marrëveshjen për projektin TAP që është nënshkruar më 13 shkurt në Athinë, nga Greqia, Shqipëria dhe Italia.

Ka qenë një nga senacat më të qeta parlamentare të muajve të fundit, ku madje edhe partia më e madhe opozitare – SYRIZA, nuk ka votuar “kundër”, siç është praktika e saj konstante, por ka abstenuar, ashtu siç ka bërë edhe partia e Ekstremit të djathtë, Agimi i Artë.

Gjithsesi, pjesa më e madhe e deputetëve të pranishëm kanë pranuar se realizimi i projektit TAP, nëse përfundimisht shpallet ky projekt fitues, do të jetë jashtëzakonisht i dobishëm për vendin.

Sipas qeverisë greke, projekti TAP është “një nga investimet më të rëndësishme që po bëhen në Greqi dhe që do të ketë impakt pozitiv edhe në tregjet e huaja në këtë moment kritik për ekonominë greke”.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në 25 mars marrëveshjen

Edhe Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 25 mars të këtij viti me unanimitet marrëveshjen për gazsjellësin Trans Adriatik Pipeline TAP, mes tre shteteve: Shqipëri, Itali dhe Greqi. Marrëveshja u votua me 120 vota dhe pro kësaj marrëveshje votuan edhe deputetët e opozitës.

Në marrëveshje, tre shtetet shprehin mbështetjen e tyre politike për projektin e gazsjellësit TAP dhe detajojnë gjithashtu edhe detyrimet e secilit shtet kundrejt projektit.

Gazsjellësi TAP në Shqipëri do të jetë rreth 209 kilometra i gjatë në tokë dhe 60 kilometra në det në pjesën e Shqipërisë në Detin Adriatik, me një vlerë investimi që arrin në rreth 2 miliard dollarë.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt gazsjellësi për gazin natyror. Gazsjellësi do të transportojë gazin nga fusha e Shah Deniz-it në Azerbajxhan nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes Detit Adriatik në Italinë Jugore dhe më tej në Europën Perëndimore.

Projekti ka si qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit, dhe larmishmërinë e furnizimit me gaz për tregjet europiane. TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridorin Jugor të Gazit për në Europë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga Deti Kaspik.

Projekti është hartuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 miliardë metër kub normal në vit. TAP parashikon edhe një rrjedhje fizike të kundërt deri në 80 për qind, si dhe mundësinë e zhvillimit të depozitave të gazit natyror në Shqipëri, për të përforcuar më tej sigurinë e furnizimit gjatë ndonjë ndërprerjeje operative të shpërndarjeve të gazit.