Nga Adrian Thano

Faqja TemA e Mero Bazes është nga më të ndjekurat (në mos më e ndjekura) media online e lajmit shqip. Faqja nisi fillimisht në shifra modeste dhe komentuesit e parë nuk bënin gjë tjetër veçse i kujtonin Bazes lidhjet me Berishën. Por nga dita në ditë, kritikat ndaj Bazes u shuan, për t’u kthyer më pas në lëvdata pa fund.

Faqja që ka spikatur në opozitën ndaj Berishës ka arritur të bëhet ndër portalet më të vizituar të kohëve të fundit. Këto ditë, pas marrëveshjes PS-LSI, Baze ka mbajtur qëndrime të ashpra kundër Ramës dhe po të vëresh reagimet e lexuesve në faqe (që janë më vete një nga hapësirat online më të klikuara) konstaton se për herë të parë pas shumë kohësh janë rikthyer edhe qëndrimet e vjetra kundër Bazes.

Por kjo nuk është e vetmja risi e atyshme e orëve të fundit. “Arma” më e fortë e faqes është editoriali i përnatshëm i vetë Bazes. Ai nuk mungon kurrë (rrallë zëvendësohet me emra të tjerë, por është çdo mbrëmje i përditësuar). Për herë të parë pas shumë kohësh (5 vjet – thotë një kolegu im), këtë mbrëmje, Baze nuk ka shkruar. Editorali në linjë është ende ai i dy ditëve më parë. Mungesa vjen pas dy –tri editorialeve “të forta” kundër marrëveshjes së sipërcituar.

Gjatë ditës së djeshme, për disa orë në faqe qëndroi një opinion i Shinasi Ramës, i cili bënte thirrje për bojkot masiv të votimeve të 23 qershorit. Më pas, në faqe u publikua një intervistë e Mero Bazes ku ai ndër të tjera thoshte:

 “Gazeta ka pasur sot një editorial nga Shenasi Rama, një politolog i njohur, udhëheqës i Lëvizjes së Dhjetorit, profesor në Universitetin e Nju Jorkut në SHBA për politikën shqiptare. Ishte një tezë radikale e tij, që unë nuk e mbështes, lidhur me bojkotin e zgjedhjeve, por i hapa rrugë për ta botuar, për të nxitur një debat rreth rreziqeve që sjell situata amorale në politikën shqiptare”.

Më pas në intervistë, Baze thotë se “tani secili ka punen e vet”, lidhur me qendrimet ndaj opozitës.  “E vërteta është se deri tani kauza jonë ka qenë dhe kauzë e opozitës dhe kemi qenë më të sinkronizuar. Tani secili ka punët e veta. Nuk kemi pasur objektiv të zëvendësojmë opozitën, dhe kur ajo dremiste, dhe as kemi ndërmend t’i bëjmë asaj karshillëk në rrugën drejt pushtetit. Thjesht jemi më pak të interesuar për punët e reja me të cilat merret opozita siç janë këto pazaret që po bëhen para dasmës. Ne dëshironim që Berisha të ikte jo për të mos e parë më kryeministër, por për të marrë me vete gjithë fenomenet e këqija që prodhoi pushteti i tij. Për fat të keq disa prej tyre ai ia postoi opozitës, kështu që ne do ta kemi në mesin tonë edhe sikur opozita të vijë në pushtet. Dhe do të vazhdojmë të ndeshemi me të – thote Baze.